Ramadani pas vendimit të Kushtetueses: U dështoi loja pushtetarëve, deri më 6 tetor presidenti ose zgjedhje
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Ramadani ka thënë se vendimi i Kushtetueses dëshmon se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit 30-ditor dhe se ky tejkalim ka pasoja kushtetuese.
“U dështoi loja pushtetarëve! Le ta mësojnë këta pushtetarët: Kushtetuta nuk është copë letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor”, shkroi Ramadani.
Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar edhe pasojat e kalimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.
“Deri më 6 tetor ose zgjidhet presidenti, ose shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka pretenduar gjithashtu se veprimet e ndërmarra nga 8 gushti deri më 13 shtator janë rrëzuar nga vendimi i Kushtetueses.
“Krejt çka kanë bërë nga 8 gushti e deri më 13 shtator, Gjykata ua hodhi poshtë!”, ka shkruar ai.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e publikuar sot, ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor, ndërsa ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Në të njëjtin vendim, Gjykata ka konstatuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës. /Zëri