Ky është dokumenti me anë të të cilit PDK-ja kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
"Zëri" ka siguruar dokumentin, në të cilin PDK-ja i referohet bazës kushtetuese dhe ligjore, mbi të cilën janë themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në pjesën hyrëse të Projektligjit thuhet se, duke marrë parasysh qëllimet e Amendamentit nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, synohet përmbushja e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës në lidhje me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462, të 7 janarit 2011.
PDK-ja i referohet gjithashtu Shkëmbimit të Letrave të 14 prillit 2014 ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.
Në dokument theksohet se ky shkëmbim, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare, përcakton që të gjitha strukturat gjyqësore, gjykatat e specializuara dhe masat ligjore duhet të miratohen në përputhje të rreptë me ligjin e Kosovës dhe t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues.
Në arsyetimin e Projektligjit përmendet edhe Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462, i 7 janarit 2011, i cili lidhet me pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve në Kosovë.
Po ashtu, PDK rikujton Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese, të datës 14 prill 2015, përmes të cilit ishte shqyrtuar themelimi i Dhomave të Specializuara.
Sipas dokumentit, Gjykata Kushtetuese kishte konfirmuar se krijimi i Dhomave të Specializuara ishte në përputhje me Nenin 103, paragrafi 7 të Kushtetutës, si një gjykatë e specializuar e arsyetuar nga nevoja për trajtimin e pretendimeve specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dok. 12462.
Projektligji vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, çështje që ka nxitur reagime dhe debat të gjerë politik e juridik në Kosovë.
