Protesta për Arlinda Zekajn edhe të dielën, organizatorët: Nuk zmbrapsemi, kërkojmë drejtësi
Foto: Laura Hasani

Protesta për Arlinda Zekajn edhe të dielën, organizatorët: Nuk zmbrapsemi, kërkojmë drejtësi

Aktuale October 31, 2026 - 23:18

Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt do të vazhdojnë edhe të dielën, në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës, duke theksuar se kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale mbeten të papërmbushura.

“Nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.

E diela shënon shtatë ditë nga vrasja e 49-vjeçares në Vitomiricë të Pejës.

Protestuesit kërkojnë drejtësi për Arlindën dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave të trajtohet si çështje urgjente kombëtare.

Ata kanë kërkuar ndjekje penale të prokurorëve e gjyqtarëve që janë marrë me rastin e saj. Kanë kërkuar edhe shkarkimin e ministrave të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, pasi refuzuan dorëheqjen. E dorëheqje i është kërkuar edhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.