Pacolli: Bashkëpunimi ndërkufitar për Pellgun e Drinit është i rëndësishëm

Pacolli: Bashkëpunimi ndërkufitar për Pellgun e Drinit është i rëndësishëm

Aktuale September 14, 2026 - 23:35

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se bashkëpunimi ndërkufitar për Pellgun e Drinit është i rëndësishëm për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

Pacolli ka bërë me dije se ka hapur Takimin Informues Kombëtar për të ardhmen e bashkëpunimit në Pellgun e Drinit, ku është diskutuar avancimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të këtij pellgu, si dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje ndërkombëtare.

“Uji nuk njeh kufij. Prandaj, bashkëpunimi ndërkufitar për Pellgun e Drinit është i rëndësishëm për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave dhe përballimin e sfidave të përbashkëta”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka theksuar se Kosova e mbështet këtë proces dhe do të jetë aktive në hapat e ardhshëm.

Sipas Pacollit, menaxhimi i ujërave, vërshimet, thatësirat, cilësia e ujit dhe mbrojtja e biodiversitetit kërkojnë veprim të koordinuar.

Ministrja ka falënderuar UNECE-në, Sekretariatin e Grupit Bërthamë të Drinit, GWP-Med dhe të gjitha institucionet për angazhimin e tyre në këtë proces.