Guri: Nuk do ta votojmë qeverinë “Kurti”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk do ta votojnë Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Para nisjes së seancës së Kuvendit, Guri tha se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
“Po shkojmë në një mbledhje të grupit parlamentar që është ftuar. Ne natyrisht që secili deputet e ka vendin në Kuvendin e Kosovës, për atë arsye edhe na ka votuar populli. Natyrisht që nuk do të votojmë për Qeverinë Kurti”, tha Guri.I pyetur për një takim të mundshëm mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Guri mohoi se një takim i tillë do të zhvillohet. “Jo, nuk ka takime mes Kurtit dhe Abdixhikut, për arsye se, ashtu siç e dini, prej orës 14:00 është edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, ndaj është edhe e pamundur që të jenë në të dy vendet njëkohësisht”, deklaroi ai.
Guri tha se LDK-ja nuk ka informacione nëse do të ketë një seancë për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kritikoi mënyrën e njoftimit të deputetëve për seancën e sotme.
“Jo, nuk kemi informacione. Fillimisht, mendoj që është pak e papërgjegjshme, për arsye se deputetët janë njoftuar 15 minuta para kohës për seancën e cila do të mbahet në orën 14:00, gjë që e pamundëson edhe fizikisht ardhjen e deputetëve në seancën e Kuvendit”, tha Guri.
Sipas tij, informacioni i vetëm që deputetët kanë është se në orën 14:00 do të mbahet seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës.
“Informacioni i vetëm që e kemi ne si deputetë të Republikës së Kosovës është që në orën 14:00 do të mbahet një seancë në Parlamentin e Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, votimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Sa i përket marrëveshjes mes Kurtit dhe Abdixhikut, Guri tha se ajo vazhdon të jetë valide.
“Absolutisht po. Përderisa nuk kanë dalë me e shfuqizuar marrëveshjen, marrëveshja i bie që është valide”, tha deputeti i LDK-së.
Guri theksoi se LDK-ja nuk ka diskutuar në asnjë moment për t’iu bashkuar Qeverisë Kurti, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij se nuk do të bëhet pjesë e ekzekutivit.
“Ne në asnjë moment nuk kemi diskutuar prej atij dakordimi që kemi pasur brenda grupit parlamentar që mos të marrim pjesë, që të mos bëhemi pjesë e qeverisë. Ne në asnjë moment nuk kemi dashur të hyjmë në qeveri, për arsye se nuk është ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të marrë pushtet ose ta ketë të gjitha këto negociata për pozita politike partiake”, tha Guri.
Ai shtoi se qëllimi i LDK-së ka qenë që Kosovës t’i ofrohen institucione funksionale dhe të zgjidhet edhe presidenti, duke paralajmëruar se cikli i zgjedhjeve të shpeshta është i dëmshëm për vendin.
“Qëllimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë gjithmonë që vendit t’i ofrohen institucione, t’i ofrohet posti i presidentit, pasi që ne kemi hyrë në një cikël prej të cilit nuk po arrijmë të dalim, zgjedhje çdo gjashtë muaj. E këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të dëmshme për Republikën e Kosovës”, shtoi ai.