VV-ja propozon Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë sot hapin e parë drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke i propozuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që Albin Kurti të mandatohet për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në dokumentin e datës 13 shtator 2026, të nënshkruar nga kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, thuhet se propozimi bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Vetëvendosje argumenton se, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve, ajo ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
Në dokument, VV-ja i propozon presidentes z. Albin Kurti – mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Propozimi vjen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili u përmbyll sot me zgjedhjen e nënkryetarëve, ndërsa PDK-ja nuk mori pjesë në proces dhe ka paralajmëruar kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Në orët në vijim pritet që presidentja ta dekretojë Kurtin si mandatar, duke i hapur rrugë procedurës për formimin dhe votimin e Qeverisë së re.
