Nga sheshet e Prishtinës kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Historia e Kosovës nuk lejohet të rishkruhet
Foto: Laura Hasani

Nga sheshet e Prishtinës kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Historia e Kosovës nuk lejohet të rishkruhet

Aktuale September 12, 2026 - 16:05

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshet e Prishtinës në “Marshin për Liri” që u organizua në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në akuzat për krime lufte.

“Liria Ka Emër”: Çlirimtarët që presim në tokën e tyre, sot i shpallim të pafajshëm

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, në fjalimet e tyre gjatë “Marshit për Liri” në Prishtinë, kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit, raporton Ekonomia Online.

Ismail Tasholli ka thënë se liria e Kosovës ka emër dhe se çlirimtarët, të cilët ndodhen në Hagë, duhet të kthehen në vendin e tyre. Ai ka deklaruar se pjesëmarrësit e marshit, në mënyrë simbolike, i shpallin të pafajshëm.

“Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër, e kemi ushtrinë çlirimtare të Kosovës, kërkush s’na i ka falë, e kërkush s’mundet me na i marrë. Edhe një pyetje: e kush kthehet i fundit nga beteja? Të gjithë e dini, çlirimtarët që i presim në tokën e tyre. Prandaj, të gjithë bashkë këtu, një zëri në mënyrë edhe simbolike, i shpallim të pafajshëm”, tha ai.

Ndërkaq, Eliza Hoxha ka thënë se qytetarët po marshojnë për lirinë e atyre që, sipas saj, e sollën lirinë e Kosovës, duke e cilësuar UÇK-në si faktor që i bashkon shqiptarët e Kosovës.

“Sot 27 vjet më vonë populli i Kosovës sot marshon për liri, marshon për liri në liri. Marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet. Sot marshojmë për ata që u ngritën në ditët më të vështira për ne, për ata që ëndërruan, dhe guxuan më shumë se shumica prej nesh. Për të vërtetën e historisë së Kosovës dhe për të vërtetën e një populli për të qenë i lirë. Sot marshojmë me UÇK-në për UÇK-në, sepse UÇK-na bashkon. Na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot, na bashkon përjetë e mot”, tha ajo.

Gucati: Drejtësia nuk guxon të shndërrohet në rishikim të historisë

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar proces të drejtë dhe të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se drejtësia nuk duhet të përdoret për rishkrimin e historisë së luftës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në “Marshin për Liri”, Gucati ka thënë se UÇK-ja u ngrit kundër shtypjes dhe se e vërteta e çlirimit të Kosovës duhet të mbrohet.

“Jemi mbledhur për të vertetën e një populli që luftoi për të mbijetuar, për të qenë të lirë dhe për të pasuruar shtetin tonë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e çlirimit të Kosovës, dhe dinjitetin e atyre që bartën këtë barrë të rëndë. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Drejtësia nuk guxon kurrë të shndërrohet në rishikim të historisë e as ta ndjekë penalisht në një armë kundër çlirimtarëve tonë. Ne e kërkojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt të plotë për të drejtat e secilit të akuzuar. Kosova nuk ishte vetëm po kishte mbrapa shtetet e bashkuara të Amerikës dhe superfuqinë botërore NATO-n; ishim aleatët tanë në ditët më të vështira, kur populli ynë luftonte për mbijetesë”, tha ai.

Vajza e Salih Mustafës: Drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë

Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës-Cali, i dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të barazohet me forcat serbe, duke theksuar se lufta ishte për liri dhe çlirim, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e saj në “Marshin për Liri”, ajo ka përmendur viktimat civile, të zhdukurit dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se hendeku mes UÇK-së dhe forcave serbe është i madh.

“Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet, me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e nuk abuzoi me asnjë grua e asnjë fëmijë të përkatësisë tjetër. Prandaj, nderoj emblemën e vet, përkundër regjimit fashist serb që na i shkaktoi për mbi 13.000 viktima civile, na i vrau e na i masakroi 1.400 fëmijë. Dhunoi e abuzoi seksualisht me 20.000 nëna e motra tonat. I zhduku 1.500 bashkëqytetarë dhimbjen e të cilëve familjet e tyre nuk mundën ta shuajnë dot kurrë. Kreu 400 masakra rreth e këmbë Kosovës. Krijuan varreza masive të shqiptarëve që edhe në ditët e sotme po zbulohen, na shkaktuan dëme kolosale materiale në vendin tonë. Andaj, hendeku është aq i madh saqë drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë kurrë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë. Nuk mund të barazojë kurrë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjithmonë të pastër dhe shpirti i bardhë i ushtarëve tanë do të mbetet përgjithmonë i padiskutueshëm”, tha ajo.

Mustafa ka kritikuar edhe, siç e ka cilësuar ajo, përdorimin e luftës së Kosovës për interesa politike apo përplasje mes individëve e grupeve të interesit.

“Të hedhësh në pazaret e Evropës luftën tonë për interesa të ulëta, apo për qerime hesapësh, mes individëve apo grupeve të interesit, është si të luash dorën e djallit. Kjo do të thotë se ata po mundohen të godasin themelet e lirisë tonë duke i kryqëzuar ushtarët tanë të lirisë. Për çlirimtarët tanë e dinin më së miri se çfarë është jeta dhe liria. Ata ishin të gatshëm të vdisnin për të, dhe disa edhe vdiqën, që ne të gjallët që jemi sot këtu, të jetojmë me respekt dhe me dinjitet, dhe jo kokëulur, me nënshtrim dhe me frikë”, tha ajo.

Edhe Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani, mori fjalën në Marshin për Liri. Mes emocionesh, e bija e heroit foli për babanë e xhaxhain që dhanë jetën për liri.

“Krahas dhimbjes u rrita edhe me krenarinë se familja ime luftës për liri i dha dy heronj: babain dhe xhaxhin Murseli. Ata nuk e zgjodhën luftën pse e deshën por u detyruan sepse Dardania, trualli më i vjetër ballkanik, nuk e duronte ma robninë. Prandaj kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk shoh vetëm tri shkronja. Shoh babin e axhin, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, shoh edhe luftëtarët e luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e në zemër. Shoh nënat që pritën e nuk i panë më bijtë e bijat e tyre. Shoh fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre e shoh nënat tona që krahas mallit e dhimbjes u detyruan t’i marrin dy role për të na rritur dhe edukuar”, tha ajo.

Gjini: Qysh mundet me pas faj një popull që ka kap pushkën për liri

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në fjalimin e tij në “Marshin për Liri”, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së dhe luftëtarët e saj nuk duhet të persekutohen, duke theksuar se ata luftuan kundër forcave që, sipas tij, kanë kryer krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte kundër atyre që, sipas tij, kanë vrarë dhe dhunuar shqiptarë në Kosovë.

“Po ju flasim edhe armiqve, e sot armiqve po ju flet populli i lirë i Kosovës, gjithë ju që jeni këtu. Liri! Gjithkujt mundemi me i fol ndryshe, do i dojmë, do nuk i dojmë, po diçka e kuptojnë të gjithë: njëjtë, njëjtë. A e dini kundër kujt kanë luftu këta? A e dini kundër kujt kanë luftu UÇK-ja? A e dini kundër kujt kanë luftu katër burra që sot s’janë të lirë, po kanë me qenë të lirë, se na jemi të lirë. Kanë luftu kundër atyre që i kanë mbush kamionat frigorifer me trupa bashkëqytetarëve tanë shqiptarëve, dje me vajza të reja, pleq, gra. Kanë luftu kundër atyre që kanë dhunu me mijëra gra, në Kosovë, po kanë luftu kundër atyre që me 1998 i kanë vra fëmijët e vet, për me na akuzu neve. Fëmijët e vet i kanë vra me na akuzu neve kundër atyre, kanë luftu këta njerëz, edhe shumë prej jush që jeni këtu sot, komandantë të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ushtarë, kundër atyre kanë luftu”, tha ai.

Gjini ka thënë se luftëtarët e UÇK-së kanë luftuar kundër të njëjtëve njerëz që, sipas tij, kanë organizuar edhe vrasje në Sarajevë, duke kundërshtuar përgjegjësinë e tyre për luftën çlirimtare.

“Kanë luftu kundër të njëjtëve njerëz, që kanë organizu safari me vra njerëz në Sarajevë, të njëjtët kanë ardhë këtu me vra shqiptarë. Kundër atyre kanë luftu, e qysh mujnë me pas faj? Qysh mundet me pas faj një popull, qysh mujnë me pas faj njerëzit që e kanë kap pushkën për liri, kundër atyre që kanë qenë katel të më të mëdhenj në 80 vjetët e fundit në Evropë? Kundër atyre kanë luftu këta njerëz. Por duhet me i thonë këto fjalë na sot: këta njerëz kushdo që një ditë t’lume e ka kap pushkën me luftu për vendin e vet, e meriton me e ngritë kapelen secili, edhe me ju thonë qysh ju thojnë miqtë tanë: faleminderit për shërbimin, e jo me i persekutu boll mo gjatë o shku tu i persekutu luftëtarët e lirisë”, tha ai.

Hamza: Vendimi i padrejtë është dënim për Kosovën, historinë nuk lejojmë të rishkruhet

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se një vendim i padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ishte dënim për Kosovën, duke thënë se padrejtësia nuk pranohet dhe se historia e vendit nuk duhet të rishkruhet, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e tij në “Marshin për Liri”, Hamza ka thënë se Kosova e ka përjetuar mungesën e drejtësisë dhe se liria e saj nuk erdhi vetë, por u arrit përmes sakrificës dhe luftës së UÇK-së, të mbështetur nga demokracitë perëndimore.

“Vendimi i padrejtë mbi të gjitha është dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë, këto nuk janë fjalë zemërimi, janë fjalë përgjegjësie. Sepse ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh pa drejtësi, e kemi provuar, e kemi përjetuar, ne jemi popull që kemi pritur, kemi pritur djemtë tanë të kthehen nga lufta, kemi pritur të gjenden të zhdukurit që 27 vjet, kemi pritur lirinë, por liria nuk erdhi vetë. Kur rrugët e paqes u mbyllën, populli ynë u ngrit, dhe kur u ngrit, nuk u ngrit për pushtet, u ngrit për ekzistencë, u ngrit për dinjitet. U ngrit për liri, dhe bota demokratike e pa e kuptoi dhe e mbështeti UÇK-ja, dhe demokracitë perëndimore u gjendën në të njëjtën orë. Ky partneritet, kjo aleancë, solli lirinë dhe shtetin e Kosovës”, tha ai.

Hamza ka përmendur edhe figurat e UÇK-së dhe sakrificën e tyre për Kosovën, duke thënë se qytetarët sot jetojnë në një shtet të lirë falë atyre që dhanë jetën dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin për vendin.

“Qytetarë të dashur, sot ne jetojmë në shtetin tonë të lirë, sepse kish atdhetarë si Adem Jashari, si Zahir Pajaziti, si Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e shumë burra e gra që disa dhanë jetën dhe të tjerët ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për këtë vend. Ata janë ngritur për Kosovën, për ta mbrojtur, dhe sot kurdo që duhet, Kosova ngrihet për t’i mbrojtur ata. Historia e Kosovës nuk lejojm qe të rishkruhet”. /eo

Image

Image

Image