Bordi i RTK-së me kritika: 652 të punësuar, por departamentet ankohen për mungesë stafi - ku janë këta punëtorë?
Foto: Laura Hasani

Bordi i RTK-së me kritika: 652 të punësuar, por departamentet ankohen për mungesë stafi - ku janë këta punëtorë?

Aktuale September 10, 2026 - 14:54

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës, ku ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe raporti i punës për muajin korrik, i prezantuar nga drejtoresha e përgjithshme, Zana Spahiu.

Spahiu bëri një përmbledhje të punës së RTK-së gjatë muajit korrik, duke përmendur mbulimin e ngjarjeve të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare. Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave financiare, RTK-ja, sipas saj, ka arritur t’i ruajë standardet profesionale.

Ndër zhvillimet më të rëndësishme të muajit korrik, Spahiu veçoi edhe transmetimin e Kampionatit Botëror.

Megjithatë, gjatë diskutimit për raportin e punës, anëtarët e Bordit ngritën sërish çështjen e mungesës së stafit në departamente të ndryshme të RTK-së, ndonëse transmetuesi publik ka gjithsej 652 punonjës, transmeton Zeri.info.

Anëtari i Bordit, Flokart Aliu, e cilësoi si paradoks faktin që departamentet raportojnë mungesë të stafit, ndërsa numri i përgjithshëm i të punësuarve në RTK është mbi 600.

“Çështja tjetër është numri i punonjësve dhe mungesa e stafit, si fjali paradoksale ndoshta për ndonjë roman të Ismail Kadaresë. Raporti thotë se janë 652 të punësuar dhe çdo departament thotë se na mungon staf”, tha Aliu.

Sipas tij, para se RTK-ja të bëjë punësime të reja, menaxhmenti duhet të analizojë në detaje strukturën aktuale të fuqisë punëtore, profesionet e punonjësve dhe nivelin e angazhimit të tyre.

“Ky është një paradoks që tash e tutje duhet ta zgjidhim. Para se të punësojmë duhet ta shtrojmë pyetjen se ku janë këta punëtorë, ku janë 652 punëtorë, çfarë profesioni kanë dhe sa janë aktivë”, tha Aliu, transmeton Zeri.info.

Aliu kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Bordit menaxhmenti të prezantojë një pasqyrë të detajuar të fuqisë punëtore në RTK, përfshirë ngarkesën e departamenteve dhe përgatitjen profesionale të punonjësve.

“Kam kërkuar nga menaxhmenti që në mbledhjen e radhës të shohim një hartë të fuqisë punëtore, ngarkesën e secilit departament dhe përgatitjet që ata kanë”, tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, tha se problemi i mungesës së stafit lidhet me strukturën e trashëguar të institucionit.

“Është e vërtetë që kemi diskutuar në mbledhjen e kaluar. Është një problem i strukturës së trashëguar. Është e vërtetë që vendet e punës janë të vjetruara dhe që përshkrimi i vendeve të punës nuk përkon me kërkesat e tregut”, tha Spahiu.

Ajo pranoi se disa njësi të RTK-së kanë mungesë të stafit, ndërsa njësi të tjera kanë më shumë punonjës sesa që u nevojiten.

“Është e vërtetë që stafi i prodhimit ka mungesë dhe ka njësi që kanë më shumë staf sesa që duhen”, tha Spahiu.

Megjithatë, sipas saj, kjo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm përmes sistematizimit të vendeve të punës.

“Kjo çështje nuk mund të rregullohet vetëm me sistematizim. Ne kemi pasur një rregullore të avancimit deri në vitin 2021, e cila është shfuqizuar sepse ka qenë e jashtëligjshme”, tha ajo.

Spahiu theksoi se ristrukturimi i stafit dhe transferimi i mundshëm i punonjësve nga një njësi në tjetrën kërkon trajtim të kujdesshëm, duke përfshirë edhe aspektin ligjor.

“Është pak problematike që kemi pasur njësi që duhet të barten në njësi tjera. Nëse marrim staf nga jashtë, ne prapë e ngrisim numrin e punëtorëve. Është çështje që kërkon trajtim më të kujdesshëm edhe ligjor, me të cilin jemi duke u marrë dhe që janë të zgjidhshme”, përfundoi Spahiu. /Zëri