ROSCAP: PISA 2025 është alarmi që nuk po na zgjon nga gjumi
Rezultatet e PISA 2025 e kanë rikthyer në vëmendje performancën e dobët të nxënësve të Kosovës në arsimin parauniversitar. Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile ROSCAP ka vlerësuar se rezultatet përbëjnë një alarm për sistemin arsimor, i cili, sipas tyre, nuk po merret seriozisht prej vitesh.
Rrjeti i OSHC-së për Arsimin Parauniversitar - ROSCAP thekson se Kosova, për të katërtën herë radhazi, vazhdon të jetë dukshëm prapa vendeve të rajonit dhe ndër vendet me performancën më të ulët në këtë vlerësim ndërkombëtar.
Në PISA 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla.
Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, njësoj sikurse në vitin 2022, 340 pikë në lexim, krahasuar me 342 në vitin 2022, dhe 350 pikë në matematikë, pesë pikë më pak se në ciklin e kaluar.
Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, Kosova ka shënuar 359 pikë, që përbën rezultatin më të lartë në këtë cikël.
Megjithatë, sipas ROSCAP-it, shqetësimi kryesor qëndron te numri i ulët i nxënësve që arrijnë nivelin bazë të aftësive.
Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, 15 për qind në matematikë dhe 16 për qind në lexim.
“Shumica dërrmuese e 15-vjeçarëve nuk po arrijnë nivelin bazë të aftësive që u nevojiten për të kuptuar, për të zgjidhur probleme dhe për të zbatuar njohuritë në jetën e përditshme”, ka deklaruar ROSCAP.
Vajzat vazhdojnë të kenë rezultate më të larta
ROSCAP ka vënë në pah edhe dallimet në performancën e vajzave dhe djemve.
Në shkencë, vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, ndërsa në lexim diferenca është edhe më e madhe – 358 pikë për vajzat kundrejt 322 pikëve për djemtë.
Në matematikë, performanca është pothuajse e njëjtë, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.
Shqetësuese, sipas organizatave të shoqërisë civile, janë edhe të dhënat për vijueshmërinë në shkollë. 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testimit, ndërsa 56 për qind kanë munguar të paktën një orë mësimore.
“Problemi dihet prej vitesh”
ROSCAP vlerëson se këto të dhëna nuk duhet të trajtohen vetëm si statistika, por si tregues të problemeve më të thella në cilësinë e mësimit, motivimin e nxënësve, mbështetjen familjare dhe përgjegjësinë institucionale.
“Pas katër cikleve të PISA-s, kjo nuk mund të trajtohet më si befasi. Problemi nuk është se nuk e dimë ku qëndrojmë. Problemi është se, megjithëse e dimë prej vitesh, ende nuk kemi krijuar vazhdimësi në reforma, përgjegjësi institucionale dhe një vizion të përbashkët për arsimin”, thuhet në reagim.
Organizatat kanë rikujtuar se pas publikimit të rezultateve të PISA-s në vitin 2023, ROSCAP kishte nisur një peticion për ndryshime konkrete në arsimin parauniversitar. Sipas tyre, peticioni ishte nënshkruar nga 12,526 qytetarë, të cilët kërkonin që arsimi të trajtohej si prioritet kombëtar.
ROSCAP thekson se, ndërkohë, Kosova ka kaluar një periudhë pa Kuvend dhe Qeveri funksionale, ndërsa reformat që kërkojnë vendimmarrje politike dhe vazhdimësi kanë mbetur në pritje.
“Fëmijët tanë nuk mund të presin derisa politika të gjejë kohën e duhur për arsimin”, thekson organizata.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet e PISA 2025 do të analizohen dhe do të shërbejnë si referencë për Strategjinë e re të Arsimit.
Megjithatë, ROSCAP kërkon më shumë se një analizë të rezultateve. Sipas tyre, nevojiten objektiva të matshme, përgjegjësi të qarta, afate konkrete dhe raportim publik për zbatimin e reformave.
Po ashtu, kërkohet një marrëveshje politike dhe shoqërore për sistemin arsimor që Kosova synon të ndërtojë, si dhe vazhdimësi në zbatimin e këtij vizioni pavarësisht ndryshimeve në pushtet.
“PISA 2025 duhet të jetë momenti kur Kosova ndalon së pyeturi pse po renditet kaq dobët dhe fillon të veprojë seriozisht për t’i ndryshuar rezultatet e fëmijëve tanë dhe mundësitë e tyre për të ardhmen”, përfundon reagimi i ROSCAP. /Zëri