Përfaqësuesit e mbi 100 mijë studentëve paralajmërojnë BE-në: S’ju lejojmë të na e kriminalizoni luftën e UÇK-së
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike në Kosovë, që përfaqësojnë mbi 100 mijë studentë, të mbështetura edhe nga përfaqësues të studentëve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë shprehur sot pakënaqësitë e tyre për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale edhe para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ata sot në mënyrë të organizuar e kanë dorëzuar në zyrën e BE-së edhe një Deklaratë të Përbashkët, ku kanë kërkuar që vendimi në Hagë për ish-udhëheqësit e UÇK-së të merret pa ndikime politike, pa standarde të dyfishta dhe vetëm mbi bazën e fakteve, provave, ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Si gjeneratë e re e Kosovës, që edhe 27 vjet pas çlirimit ende përballet me procese dhe hetime ndërkombëtare për luftën e UÇK-së, përfaqësuesit e parlamenteve studentore kanë thënë se mënyra sesi është zhvilluar ky proces në Hagë, i mbështetur dhe financuar nga vendet e Bashkimit Evropian, ka krijuar te qytetarët tanë bindjen se i ka shërbyer më shumë narrativës dhe nevojave politike të Serbisë sesa kërkimit të drejtësisë.
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore kanë thënë se nuk do të lejojnë që lufta për lirinë e Kosovës të reduktohet në një narrativë kriminalizuese dhe historia jonë të rishkruhet.
Si gjeneratë që e ka trashëguar këtë liri, ata kanë thënë se do ta mbrojnë me çdo kusht të vërtetën për luftën çlirimtare.
Kjo është Deklarata e Përbashkët e parlamenteve studentore për BE-në, që u lexua para Zyrës së BE-së nga Endi Binaku, deputet në Parlamentin Studentor në UP:
Ne, përfaqësuesit e studentëve të universiteteve publike, të indinjuar nga procesi gjashtëvjeçar në Hagë dhe nga padrejtësitë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, sot e ngremë zërin e studentëve edhe para jush, si Zyrë e Bashkimit Evropian në Kosovë. Si parlamente studentore që përfaqësojnë rreth 100 mijë studentë, kërkojmë që vendimi në Hagë të merret pa ndikime politike, pa standarde të dyfishta dhe vetëm mbi bazën e fakteve, provave, ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Ne jemi gjenerata e re e Kosovës, e një vendi që edhe 27 vjet pas çlirimit ende përballet me procese dhe hetime ndërkombëtare ndaj personaliteteve që lidhen drejtpërdrejt me luftën, lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit tonë. Në të njëjtën kohë, Serbisë ia keni hapur rrugën drejt integrimit evropian, pavarësisht të kaluarës së saj kriminale dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilat ende nuk ka kërkuar as falje.
Si gjeneratë e lindur gjatë dhe pas luftës, e kemi parë nga afër se procesi gjyqësor në Hagë ka lënë pasoja të thella dhe e ka polarizuar shoqërinë tonë, duke ushqyer mosbesim dhe duke krijuar një ndjenjë të fortë padrejtësie te qytetarët e Kosovës. Ajo që është paraqitur si drejtësi, për ne ka ngritur shqetësime të mëdha dhe të vazhdueshme për transparencën, paanshmërinë, trajtimin e barabartë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
Pas gati gjashtë vitesh, këto shqetësime janë ngritur edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare që monitorojnë proceset gjyqësore dhe nuk mund të anashkalohen apo të heshtën nga ju. Mënyra se si është zhvilluar ky proces, i mbështetur dhe financuar nga vendet e Bashkimit Evropian, ka krijuar te qytetarët tanë bindjen se ai i ka shërbyer më shumë narrativës dhe nevojave politike të Serbisë sesa kërkimit të drejtësisë.
Për ne, si përfaqësues të studentëve të shtatë universiteteve publike të Kosovës, shteti i së drejtës është vlerë themelore për të ardhmen demokratike të vendit tonë. Por shteti i së drejtës ka kuptim vetëm atëherë kur drejtësia është e njëjtë për të gjithë dhe kur standardet nuk ndryshojnë sipas rrethanave politike. Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që lufta për lirinë e Kosovës të reduktohet në një narrativë kriminalizuese dhe historia jonë të rishkruhet.
Ne jemi gjenerata që e ka trashëguar këtë liri dhe do ta mbrojmë me çdo kusht të vërtetën tonë. Drejtësia juaj nuk duhet të ketë një standard për Kosovën dhe një tjetër për Serbinë. Si gjeneratë e re e Kosovës, kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet dhe shqetësimet tona të merren seriozisht. Kërkojmë drejtësi dhe standarde që vlejnë njësoj për të gjithë dhe një Evropë që e trajton Kosovën me të njëjtin standard që kërkon nga ne. Kosova po pret.
Ne po presim. Më 16 shtator, presim që ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit tonë të lirohen dhe të kthehen në Kosovë, pranë familjeve dhe në vendin e tyre.
