Kurti thotë se marrëveshja politike me LDK-në mbetet valide, paralajmëron takim me Abdixhikun
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit mbetet në fuqi, pavarësisht zhvillimeve të fundit brenda LDK-së.
Kurti tha se do të zhvillohen takime të reja me përfaqësuesit e LDK-së për të diskutuar situatën e krijuar pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
“Siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha Kurti.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi të ardhshëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por bëri të ditur se një takim i tillë nuk ishte zhvilluar gjatë mëngjesit.
“Jo, se në mëngjes u nisa për Viti”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë i bëri këto deklarata pas ceremonisë së përurimit të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në shkollën “28 Nëntori” në Viti.
Deklarata e Kurtit vjen një ditë pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk e mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke komplikuar më tej zbatimin e marrëveshjes politike mes dy partive.