Rrezarta Krasniqi reagon ndaj Abdixhikut: Fajtoren për rezultatin e vitit 2020 e kandidove për presidente

Rrezarta Krasniqi reagon ndaj Abdixhikut: Fajtoren për rezultatin e vitit 2020 e kandidove për presidente

Aktuale September 02, 2026 - 12:13

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas deklaratave të tij të fundit pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për të votuar kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.

Krasniqi ka komentuar në postimin e Abdixhikut, duke e kritikuar për vendimet e tij politike dhe duke iu referuar rezultatit të LDK-së në zgjedhjet e vitit 2020.

“Fajtoren për rezultatin e vitit 2020 e kandidove për presidente dhe marrëveshjen me Albinin po e bën për këshilltarin e saj. Dritë do të ketë”, ka shkruar Krasniqi.

Reagimi i saj vjen pas deklaratave të Abdixhikut se LDK-ja nuk kishte pasur marrëveshje qeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se zgjedhjet e reja nuk kishin qenë pjesë e agjendës së LDK-së.

Krasniqi, përmes këtij komenti, ka vënë në pikëpyetje qëndrimet e kryetarit të LDK-së, duke rikthyer në vëmendje përplasjet dhe zhvillimet e brendshme në partinë e drejtuar nga Abdixhiku.

Image