Hoti kundër Sejdiut për president: Nuk është figurë unifikuese
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, të propozuar përmes marrëveshjes mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Hoti ka theksuar se kundërshtimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.
“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
“Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka shprehur pakënaqësi edhe me mënyrën se si është arritur marrëveshja, duke thënë se kandidatura nuk pasqyron, sipas tij, interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
Hoti ka kritikuar gjithashtu mënyrën e dakordimit të emrit, duke thënë se krijohet përshtypja se LDK-ja ka penguar kandidatura të tjera politike për t’i hapur rrugë një kandidature që, sipas tij, mbetet politike.
“LDK-ja duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se çështja nuk është personale dhe se bëhet fjalë për parimet, identitetin politik dhe përgjegjësinë e LDK-së ndaj votuesve të saj.
Deklarata e Hotit vjen pak orë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia e tij dhe Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht Bekim Sejdiun për president të Kosovës.