Arifaj: Çfarëdo vendimi negativ nga Specialja do të ishte dënim për krejt shqiptarët
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Ardian Arifaj, ka deklaruar se një vendim negativ nga Gjykata Speciale në Hagë nuk do të ishte i dëmshëm vetëm për ish-presidentin Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë, por edhe për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Sipas Arifajt, një vendim i tillë do të mund të ndikonte në narrativën mbi luftën e Kosovës dhe në të drejtën e saj për liri, pavarësi dhe shtetësi.
“Një vendim jo i mirë nuk është i dëmshëm vetëm për ata që janë atje, por është i dëmshëm edhe për Kosovën, sepse e hap rrugën për me u kontestuar e drejta e Kosovës edhe për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Arifaj.
Ai ka theksuar se rëndësia e këtij procesi shkon përtej Kosovës, duke përmendur shqiptarët në Shqipëri, Luginën e Preshevës, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe diasporën.
“Çfarëdo vendimi negativ atje do të ishte një dënim për krejt punën, angazhimin, aspiratën, të drejtën për me ëndërru për liri, për pavarësi, për shtetësi të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, jo vetëm këtu në Kosovë”, tha Arifaj në Klan Kosova.