Nga certifikimi i zgjedhjeve te negociatat për presidentin, a po afrohet marrëveshja?
Foto: Laura Hasani

Nga certifikimi i zgjedhjeve te negociatat për presidentin, a po afrohet marrëveshja?

Aktuale August 31, 2026 - 07:54

Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi më 8 korrik, Kosova vazhdon të përballet me një ngërç të ri politik – zgjedhjen e presidentit dhe konstituimin e institucioneve të reja.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, partitë politike nuk arritën të gjejnë menjëherë një zgjidhje për presidentin, ndërsa Kuvendi mbeti i pakonstituuar. Çështja e kreut të shtetit është kthyer në pikën kryesore të negociatave ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në ditët e fundit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar disa takime për të gjetur një emër rreth të cilit do të mund të arrihej konsensus politik.

Pas takimit të fundit, të zhvilluar të shtunën mbrëma, të dy liderët nuk dhanë detaje për përmbajtjen e bisedimeve. Kurti u tha gazetarëve shkurt: “Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”.

Ndërkohë, në media është raportuar se emri që po shqyrtohet seriozisht është ai i Bekim Sejdiut, ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas këtyre raportimeve, Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar në parim që Sejdiu të jetë kandidat për president. Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar nga dy partitë se marrëveshja përfundimtare është arritur.

Sejdiu nuk është një emër i panjohur në zhvillimet politike të Kosovës. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ka qenë ambasador në Turqi dhe Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork.

Por Sejdiu nuk është i vetmi emër që është përmendur në diskutimet për kreun e shtetit.

Në skenën politike e mediale janë përmendur edhe figura të tjera, mes tyre Haki Demolli, ndërsa në diskutimet për një president konsensual janë hedhur edhe emra të tjerë nga politika dhe shoqëria civile.

Një zhvillim i ri në këtë debat është edhe emri i Faton Bislimit. Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, u ka shkruar liderëve politikë duke propozuar Bislimin për president të Kosovës. Ndërkohë, tri parti politike shqiptare në Luginën e Preshevës kanë shprehur publikisht mbështetjen për kandidaturën e tij, shkruan Telegrafi.

Përveç tyre, gjatë muajve të fundit janë përmendur edhe emra të tjerë në diskutimet publike për pasardhësin e Vjosa Osmanit, por asnjëri prej tyre nuk mund të konsiderohet kandidat zyrtar pa kaluar në procedurat kushtetuese dhe pa u propozuar formalisht në Kuvend.

Haxhiu optimiste, PDK e Aleanca skeptike

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se negociatat ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut mund të përfundojnë me marrëveshje.

Ajo ka thënë se pret rezultate pozitive dhe që marrëveshja të konfirmohet nga drejtuesit e Vetëvendosjes dhe LDK-së, duke theksuar rëndësinë që procesi të ecë përpara.

Por jo të gjithë në skenën politike e shohin me optimizëm mënyrën se si po zhvillohen këto negociata.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar takimet e Kurtit dhe Abdixhikut, duke kërkuar që çështja e presidentit të mos zgjidhet përmes takimeve të mbyllura, por në Kuvend.

Kritika ka ardhur edhe nga Aleanca. Deputeti Burim Ramadani ka deklaruar se qytetarët duhet të dinë se çfarë përfitojnë nga këto takime, duke i akuzuar liderët politikë se diskutimet po përqendrohen te postet.

Nëse negociatat mes Kurtit dhe Abdixhikut do të konkretizohen, zgjedhja e presidentit mund të jetë pika që do t’i japë fund ngërçit institucional.

Megjithatë, përballë emrave të përfolur dhe kalkulimeve partiake, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme në Kuvend.

Deri atëherë, gara për postin e presidentit mbetet e hapur dhe çdo emër i ri mund të ndryshojë dinamikën e negociatave.