Pas dy vrasjeve, shoqëria civile kërkon që femicidi të trajtohet si urgjencë

Pas dy vrasjeve, shoqëria civile kërkon që femicidi të trajtohet si urgjencë

Aktuale August 27, 2026 - 21:51

Dy tragjedi brenda një jave kanë kthyer në qendër të vëmendjes dështimin institucional për të mbrojtur jetën e grave. Në shenjë revolte ndaj këtij realiteti, organizatat për të drejtat e grave dhe shoqëria civile kanë thirrur qytetarët në shesh për të protestuar.

Rastet kanë rikthyer në fokus një fenomen që organizatat e grave e cilësojnë si femicid, vrasjen e grave të lidhur me dhunën me bazë gjinore.

Pas vrasjes në Malishevë, ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe Koordinatorja Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, mblodhi në një tryezë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale.  Qëllimi ishte shqyrtimi i funksionimit të mekanizmave institucionalë dhe masave për parandalimin e rasteve të tilla. Gërvalla tha se asnjë hallkë e sistemit nuk duhet të dështojë.

11 gra të vrara në katër vitet e fundit. Tri prej tyre vetëm këtë vit. Kjo është shifra që tregon se, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe mekanizmave të rinj të mbrojtjes, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë një prej sfidave më serioze për institucionet e Kosovës. Që nga viti 2010, numri i grave të vrara brenda familjes ka arritur në 62.

Për organizatat e grave, këto nuk janë raste të izoluara, por tregues të një problemi sistematik.

Vetëm gjatë periudhës nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026, RrGK ka monitoruar 155 raste të dhunës me bazë gjinore, përfshirë raste të femicidit. Sipas këtij monitorimi, rastet kanë nxjerrë në pah sfida në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe në mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës.

Katër vjet më parë, vrasja e Hamide Magashit, një gruaje shtatzënë që u vra në QKUK, tronditi Kosovën.

Ajo kishte urdhër mbrojtës aktiv. Pas rastit u ndryshuan ligje dhe u investuan rreth 600 mijë euro në sistemin elektronik të mbikëqyrjes së personave ndaj të cilëve vendosen masa të tilla, megjithatë vrasja e grave po vazhdon./rtk