Punëtorët përballë rreziqeve
Vdekjet e fundit të punëtorëve në Korporatën Energjetike kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në vendin e punës dhe shqetësimet e vazhdueshme të punëtorëve për kushtet në të cilat ata punojnë.
Java që lamë pas shënoi një tjetër rast tragjik në mesin e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke e çuar në katër numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.”
Humbja e jetëve të punëtorëve ka nxitur sindikalistët të ndërmarrin veprime protestuese në ditët e fundit.
Megjithatë, pas takimeve të djeshme me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, Sindikata e Re ka marrë vendim që të kontribuojë në Task-Forcë, e cila është formuar me qëllim avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.“Mbrëmë, pas shumë konsultimeve, kemi ardhur në përfundim se është e nevojshme të punojmë së bashku për rikthimin e mirëbesimit të punëtorëve dhe për t’i dhënë kohë secilit sektor të kontribuojë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të mirë për punëtorët e korporatës. Kemi marrë premtime nga Bordi dhe Menaxhmenti se do të angazhohen pa dallim dhe se menaxhmenti do të jetë pranë punëtorëve, në frymën e bashkëpunimit, me qëllim që të adresohen dhe të zgjidhen të gjitha problemet dhe të bëhet e pamundur përsëritja e rasteve të tilla në të ardhmen, tha për RTK, Xhelal Jashari, kryetar i Sindikatë së Re në KEK.
Vdekjet në vendet e punës përbëjnë një shqetësim serioz edhe për Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku është kërkuar rritja e standardeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, si në KEK, ashtu edhe në institucionet dhe sektor të tjerë.
“Sinqerisht, këto raste duhet të ndalen. KEK-u tashmë ka krijuar edhe një Task-Forcë për sigurinë dhe rrezikshmërinë në punë, ku edhe ne jemi pjesë e saj dhe ku do të angazhojmë ekspertë”, tha Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.
Edhe nga Sindikata e Sektorit Privat vazhdimisht është kërkuar ndërmarrja e masave parandaluese, si dhe rritja e numrit të inspektimeve në vendet e punës.