Negociata të “vështira” për emrin e presidentit, a do të ketë marrëveshje LVV-LDK?
Foto: Laura Hasani

Negociata të “vështira” për emrin e presidentit, a do të ketë marrëveshje LVV-LDK?

Aktuale August 27, 2026 - 19:49

Edhe njëherë tjetër Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, janë ulur në tavolinë, për të diskutuar për presidentin e ri të vendit.

Por, për dallim nga takimet e mëparshme, ai së mërkurës ka shënuar hap para, meqë sipas liderëve të dy partive, Albin Kurti e Lumir Abdixhiku, janë diskutuar emra të përveçëm për president konsensual.

Ndonëse emrat nuk u treguan, një diskutim i tillë po konsiderohet hap pozitiv.

Sipas analistit politik, Basri Muja duhet përshpejtuar procesin si shkak i situatës në të cilën ndodhet Kosova.

“Kjo fazë nuk do duhej të zgjaste shumë sapo LVV-ja e LDK-ja të identifikojnë dy apo tre emra që mund të jenë të pranueshëm për të dya palët mendoj se këta persona do duhej të kontaktoheshin menjëherë, pra sipas meje rendi që do të ndiqet dhe i cili do ishte racional do ishte i tillë se do këkrohej një dakordim politik për profilin dhe emrat potencial”, ka thënë Muja.

Në anën tjetër, profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi thotë se takimet e tilla janë vetëm zvarritje dhe çdo lloj marrëveshje e mundshme është jo kushtetuese, meqë ka kaluar afati.

“Çdo takim, çdo bisedë, çdo marrëveshje jo vetëm mes LDK-së e LVV-së, por edhe në qoftë se edhe tek 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë një kandidat kushto qoftë ai do jetë president paralel, natyrisht edhe qeveria edhe cdo institucion që del nga këto zgjedhje janë paralele sepse kanë shkelur rëndë kushtetutën e Kosovës, si organi më i lartë interpretues i ligjeve të shtetit”, ka thënë Kelmendi.

Kurti e Abdixhiku pas takimit të mbrëmshëm, kanë paralajmëruar edhe takime të tjera, për të gjetur një gjuhë të përbashkët rreth emrit të kandidatit për president të ri, ndërkohë që konstituimi i Kuvendit vazhdon të mbetet edhe më tutje pezull./dukagjini