Aliçkaj: Kosova është interes strategjik amerikan, por me Amerikën duhet të punojmë

Aliçkaj: Kosova është interes strategjik amerikan, por me Amerikën duhet të punojmë

Aktuale August 25, 2026 - 14:47

Drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, ka thënë se Kosova është pjesë e interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka theksuar se raportet me SHBA-në nuk duhet të trajtohen vetëm përmes deklaratave ose politikave ditore, por si një proces ku Kosova duhet të punojë vazhdimisht.

Aliçkaj ka thënë se pas bombardimit të Serbisë nga SHBA-ja, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë hyrë në interesat strategjike amerikane, ndërsa ka theksuar rëndësinë e punës përmes institucioneve amerikane, veçanërisht Kongresit dhe Senatit.

“Unë mendoj se prej momentit që u bombardua Serbia nga Amerika, ne edhe ashtu kemi qenë në kuadër të interesave amerikane, po unë mendoj se Kosova ka hyrë, edhe populli shqiptar në përgjithësi ka hyrë në interesat strategjike të shtetit amerikan. Tash kjo fillon prej interesit për shqiptarët e të gjitha, po këtu megjithatë, se Kosova është një produkt i Shteteve të Bashkuara, ka investuar Amerika aty. Edhe tash të kuptohemi se politikat ditore shkojnë me varianta të ndryshme. Ne veprojmë nëpërmjet Kongresit, ku është Senati, Kongresi, kongresmenët, senatorët në Shtëpinë e Bardhë. Sepse Shtëpia e Bardhë, domethënë Trumpi tash, ose kushdo që ka qenë administrata, ata e këqyrin politikën edhe ditore edhe të përkohshme, e i përshtaten rrethanave. Nganjëherë nuk na kanë pëlqyer gjithmonë veprimet e tyre sepse ata i kanë interesat e veta, ne duhet të kuptojmë. Me Amerikën duhet me punu”, tha ai.

Ai ka kritikuar mënyrën sesi në opinion shpesh paraqiten raportet Kosovë-SHBA, duke thënë se një deklaratë apo një zhvillim i vetëm nuk nënkupton prishje apo përfundim të marrëdhënieve me Amerikën.

“Prandaj, më së pari edhe këtë duhet me thënë, që është shumë e rëndësishme që gjithë kur po e bëni ju ndonjë lajm, kurdo që bëhet, ndodh diçka, e paraqitni sikur me u përmbys bota: “U prishëm me Amerikën, u bë kijameti”. Me Amerikën mundesh me u prish e me u ndreq sipas nevojës. Domethënë, nuk vendoset një çështje, ose një vendim, ose një deklaratë e një politikani edhe mbaroi bota tash u prishëm me Amerikën, ose e kundërta: “O ka thënë Amerika kështu, edhe ne e pshtum tash”. Jo”, tha ai.

Aliçkaj ka thënë se Kosova duhet të punojë vetë për forcimin e shtetit dhe marrëdhënieve me SHBA-në, duke theksuar se Amerika ka interesa të veta dhe nuk mund të presë që çdo zgjidhje t’i diktohet Kosovës nga Uashingtoni.

“Dëgjoni, Amerika është proces, në të duhet me punu non-stop. I ka interesat e veta. Unë mendoj se Kosova është, si thashë, interes strategjik amerikan, mirëpo ne duhet me punu, që me i informu si duhet, po duhet me punu vetë. Ne duhet me ndërtu shtetin bashkë. Amerika s’ka kohë, po shihni sa probleme i ka, nuk ka kohë me mendu shumë njerëz që Amerika duhet me na tregu çka me bë. Ndoshta në gjëra të mëdhaja normalisht me na orientu, po ne duhet të punojmë vetë. Amerika i do ata që punojnë, i do ata që e dinë çka po dojnë edhe janë, e veprojnë vetë, po normalisht kërkojnë edhe ndihmë edhe përkrahje. Se pa përkrahje, sidomos shtetet e vogla sikur që është Kosova, Shqipëria, ne kemi nevojë për përkrahjen e një sepse armikun e kemi, është i hapur. Armikun e kemi, nuk është puna veç me Serbinë. Këtu ke armik, e ke Rusinë, e ke një botë të tërë, pastaj edhe shtetet e tjera që kanë interesa më shumë me Serbinë”, tha ai.

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aliçkaj e ka cilësuar si të padrejtë krijimin e një tribunali që, sipas tij, është fokusuar vetëm te UÇK-ja dhe Kosova.

“Dëgjo, unë s’e kam përcjellë çdo gjë, mirëpo Tribunali i Hagës është, më së pari, definitivisht i padrejtë. S’ka ndodhur kurrë, kurrë. Vetë fakti që është bërë një tribunal vetëm për një pjesë, vetëm për UÇK-në, ose vetëm për Kosovën, po ashtu e kriminelët e Serbisë e tha edhe Steven Paul aty i ke me qindra mijëra serbë se nuk i ka bërë vrasjet veç Millosheviqi, vrasjet i kanë bërë ata, sillen nëpër Beograd, e ti po krijon tribunal vetëm për djemtë e UÇK-së. Domethënë, është e padrejtë si e tillë. Tendenca e kujtdo që, edhe nëse dënohen, me u dënu si UÇK edhe si luftë çlirimtare, unë mendoj që nuk do të kenë sukses. Për arsye se lufta për liri është më e madhe sesa krimet potenciale të individëve, ne nuk e dimë. Për neve, luftëtarët e lirisë kanë luftuar për liri. Nëse ka fakte a diçka tjetër, po nuk mundet me u gjyku UÇK-ja dhe rezistenca kombëtare e gjithë popullore, e shekullore e kombit tonë për shkak se dënohet dikush. Unë mendoj ashtu. Unë ju dëshiroj atyre që të lirohen, që ka fakte, që s’kanë fakte kundër tyre personale. Mirëpo unë mendoj se edhe kjo është ashtu qysh Serbia po mundohet me i paraqit: “O të gjykohen, nëse gjykohen këta, do të gjykohet krejt lufta e UÇK-së”. Lufta e UÇK-së është një histori botërore, kombëtare, një luftë e drejtë edhe s’ka me mujt me u ndryshu as me një verdikt që është i padrejtë. E kam parë që prokurorët janë munduar me u lidh me UÇK-në më shumë sesa të krijojnë, me thënë, një organizatë terroriste ashtu, po nuk ka me pasur sukses”, tha ai. /eo