Sveçla pret shefin e ri të EULEX-it, diskutojnë për forcimin e sundimit të ligjit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim njoftues shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.
Sveçla e ka uruar Lopesin për detyrën e re dhe e ka falënderuar EULEX-in për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e Kosovës.
Gjatë takimit, ministri ka shprehur mirënjohje edhe për mbështetjen e EULEX-it gjatë gërmimeve në varrezat masive në Zubin Potok.
Sveçla dhe Lopesi kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.
Ministri i Punëve të Brendshme ka ritheksuar përkushtimin për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ka vlerësuar të rëndësishëm thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me EULEX-in. /Zëri