Sveçla për vdekjen e Altin Kryeziut: Humbëm një pjesëtar shembullor të përkushtuar ndaj qytetarëve
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili humbi jetën pas plagëve të marra kur u godit nga një automjet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sveçla ka thënë se vdekja e Kryeziut është një humbje e madhe për familjen e tij, Policinë e Kosovës, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
“Humbëm një pjesëtar shembullor të Policisë së Kosovës, të përkushtuar ndaj detyrës dhe sigurisë së qytetarëve”, ka shkruar Sveçla.
Ndërron jetë polici Altin Kryeziu, ishte aksidentuar ditë më parë në krye të detyrës
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për personelin mjekësor që sipas tij bëri gjithçka të mundur për trajtimin e Kryeziut deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale.
“Pakujdesia në trafik mund të kushtojë jetë dhe fatkeqësisht, sot po përjetojmë humbjen e një jete të re dhe të një zyrtari që ishte në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Në fund, Sveçla ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Kryeziu, kolegët e policit dhe të gjithë ata që e njohën atë.