Fundjavë e nxehtë në Kosovë, temperaturat të sot deri në 38 gradë

Fundjavë e nxehtë në Kosovë, temperaturat të sot deri në 38 gradë

Aktuale August 22, 2026 - 07:58

Kosova pritet të përfshihet gjatë fundjavës nga mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta, ndërsa dita e shtunë do të jetë më e nxehta.

Sot, moti do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë, pa reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 4 m/s, ndërsa lokalisht mund të ketë përforcime të përkohshme.

Gjatë mesditës dhe pasdites do të ketë ngarkesë të shtuar termike, ndërsa indeksi UV do të jetë i lartë. Për këtë arsye, rekomandohet mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht gjatë orëve me intensitet më të lartë.

Edhe e diela, 23 gusht, do të jetë kryesisht me diell dhe pa reshje, por me temperatura pak më të ulëta.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 16 gradë, ndërsa maksimalet nga 29 deri në 34 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s. Kushtet biometeorologjike pritet të jenë më të favorshme se të shtunën, megjithatë gjatë mesditës do të mbetet e pranishme ngarkesa termike.

Moti i thatë dhe temperaturat e larta do të rrisin nevojën për ujë dhe ujitje, ndërsa mungesa e reshjeve pritet të favorizojë humbjen e lagështisë nga toka.

Në përgjithësi, fundjava do të jetë e nxehtë dhe kryesisht me diell në gjithë Kosovën, me të shtunën si ditën më të nxehtë dhe një rënie të lehtë të temperaturave të dielën./Zëri