Çitaku kujton Bajram Rexhepin: Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kujtuar ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Çitaku, përmes një shkrimi në Facebook, ka ndarë kujtime personale nga miqësia dhe bashkëpunimi i saj me Rexhepin, duke thënë se ai për të ka qenë më shumë se koleg.
“Për mua ka qenë më shumë se koleg, ka qenë mik i vërtetë. Ne kemi qenë ekip”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kujtuar edhe debatet dhe ngacmimet mes tyre për futbollin, pasi Rexhepi ishte tifoz i Real Madridit, ndërsa ajo e Barcelonës.
Çitaku ka veçuar edhe mbështetjen që, sipas saj, Bajram Rexhepi i kishte dhënë gjatë angazhimit të saj institucional, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave.
“Vlorë, udhërrëfyesin do ta pranosh ti. Ti je e re. Unë jam në perëndim të karrierës. Mua më ke krah, më ke ushtar, por në ballë do të jesh ti”, ka cituar ajo fjalët e Rexhepit.
Në fund, Çitaku ka shprehur dhimbjen për kafen që nuk arritën ta pinin së bashku para se ish-kryeministri të pësonte sulm në tru.
“Sot do të doja të isha në Prishtinë. Ia kemi një kafe borxh njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka thënë se Bajram Rexhepin do ta kujtojë përjetë.