Haxhiu pas takimit me liderët: Kurti thotë se i ka votat për Kuvendin e Qeverinë, presidenti mbetet çështja kryesore
Foto: Laura Hasani

Haxhiu pas takimit me liderët: Kurti thotë se i ka votat për Kuvendin e Qeverinë, presidenti mbetet çështja kryesore

Aktuale August 18, 2026 - 10:27

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar të martën një takim konsultativ me liderët e partive politike dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, ku është diskutuar zgjedhja e presidentit të vendit.

Pas takimit, Haxhiu tha se qëllimi i konsultimeve ishte që partitë politike të kontribuojnë në gjetjen e një marrëveshjeje dhe të shmanget mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

“Pas gjithë këtyre muajve s’kemi pse të hamendësojmë se çka sjell pjesa e marrëveshjes. Sot kam dëgjuar subjektet politike dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm thanë se duhet të kontribuojnë në zgjedhjen e një marrëveshjeje dhe t’u ikim zgjedhjeve të parakohshme. Shpresoj shumë që partitë politike të arrijnë marrëveshje”, deklaroi Haxhiu.

Ajo bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë takimit ka thënë se i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa çështja më e ndjeshme mbetet zgjedhja e Presidentit.

“Kurti theksoi që i ka votat për kryetarin e Kuvendit dhe të Qeverisë, por çështja është te Presidenca. Mund të jetë çështja e tretë, pasi është Kuvendi, Qeveria, por është çështja me prioritet”, tha Haxhiu.

Sipas saj, Kurti ka deklaruar se LVV-ja nuk dëshiron që presidenti i ardhshëm të jetë nga radhët e saj, por është e hapur për një figurë konsensuale.

“Kurti e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e LVV-së, por janë për një President konsensual. Uroj që takimet me partitë politike të ndodhin shumë shpejt, siç na tha edhe kryetari i LVV-së. Uroj që ky takim të mos refuzohet nga partitë politike”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se do të dëshironte që në takim të merrnin pjesë edhe përfaqësues të tjerë politikë, me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale dhe gjetjes së një zgjidhjeje.

Në takimin konsultativ morën pjesë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë.