Bahtiri: E vlerësoj vendimin e fundit të LDK-së, një gjë të tillë e bëri edhe Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta
Foto: Laura Hasani

Bahtiri: E vlerësoj vendimin e fundit të LDK-së, një gjë të tillë e bëri edhe Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta

Aktuale August 14, 2026 - 22:09

Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje e ka përshëndetur vendimin e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga kërkesa për t’u përfaqësuar në institucionet e Kosovës.

“E vlerësoj shumë vendimin e fundit të LDK-së. Ju them faleminderit që erdhët në atë pikë, të cilën e bëri edhe Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta. Jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedat me LDK-në”, ka thënë Agim Bahtiri në Tëvë1.

Tutje, deputeti i zgjedhur i VV-së shton se partia e tij ishte e gatshme për të qeverisur me LDK-në.

“Lëvizja Vetëvendosje ishte e gatshme të qeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo nuk e di se a janë ata të gatshëm. Ne kemi mundur që të ulemi dhe bisedojmë. E jona është që ta gjejmë së bashku një president. Ata nuk po japin emra. Kishte shumë takime mes miqve Kurti e Abdixhiku, por nuk u arrit konsensus”, theksoi Agim Bahtiri.

Në pyetjen se pse VV është kundër që të zgjidhet një president partiak, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut tha se në një rast të tillë, presidenti duhet të ishte nga Vetëvendosje.

“Nëse duhet të zgjidhet një president partiak, ai duhet të jetë nga VV pasi ne i kemi fituar zgjedhjet”, pohoi Agim Bahtiri.