Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional
Foto: Laura Hasani

Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional

Aktuale August 14, 2026 - 13:48

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe skenat e papranueshme brenda Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë konfrontimet verbale dhe fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe incidentet ndërmjet qytetarëve vizitorë në sallën e Kuvendit.

Kuvendi duhet të mbetet një vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës.

Kriza e tejzgjatur politike tashmë po bart kosto të konsiderueshme ekonomike dhe sociale. Pasiguria institucionale dobëson besimin e investitorëve, vonon vendimet për investime të brendshme dhe të jashtme, ngadalëson reformat dhe projektet infrastrukturore, kufizon qasjen në financa ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Kosova nuk mund të përballojë humbjen e mundësive të mëtejme për shkak të paralizës politike.

Po aq shqetësuese është funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar. Pa një Kuvend funksional, Kosova është praktikisht e privuar nga një nga mekanizmat themelorë të qeverisjes demokratike: mbikëqyrjen efektive parlamentare ndaj ekzekutivit. Mungesa e kontrollit parlamentar, llogaridhënies dhe kontrollit institucional për një periudhë të zgjatur rrit rreziqet e keqpërdorimit të resurseve publike, dobëson transparencën dhe krijimin e kushteve për korrupsion potencial e forma të tjera të abuzimit institucional. Kjo përbën një shqetësim serioz jo vetëm për qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit, por edhe për mjedisin e biznesit dhe investimeve në Kosovë.

Oda Amerikane gjithashtu i merr seriozisht thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara drejtuar udhëheqësve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjet se bllokimi i vazhdueshëm po i humbet Kosovës mundësi të mëdha.

Derisa të gjitha partitë parlamentare mbajnë përgjegjësi për të kontribuuar në mënyrë konstruktive në një zgjidhje, përgjegjësia nuk është e barabartë. Forca politike, të cilës i është besuar numri më i madh i mandateve nga votuesit mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kushteve të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve funksionale. Fitorja zgjedhore sjell jo vetëm të drejtën për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e institucioneve.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të ulin menjëherë tensionet, të rivendosin dialogun dhe të vendosin stabilitetin demokratik, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe interesat euroatlantike të Kosovës përmbi kalkulimet e ngushta politike. /eo