Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit për rrahjen dhe plagosjen me armë në Gjakovë

Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit për rrahjen dhe plagosjen me armë në Gjakovë

Aktuale August 11, 2026 - 14:04

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rastin e rrahjes dhe plagosjes me armë zjarri, që ka ndodhur një ditë më parë në Gjakovë.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht 2026, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, e cila ka eskaluar në rrahje. Gjatë incidentit, një person është plagosur me armë zjarri.

Me vendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë tre të dyshuarit me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., ndërsa një person i mitur është ndaluar për 24 orë.

Prokuroria ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe i ka dorëzuar Gjykatës Themelore në Gjakovë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të pandehurve.

H.D. dyshohet për veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, A.D. dhe E.G. dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Edhe ndaj të miturit, i cili po mbahet në ndalim për 24 orë, ekziston dyshimi për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”. Rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, ka bërë të ditur se po ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave relevante. /Zëri