BE-ja për deklaratat e Vuçiqit për Ibrin: Veprime të tilla nuk kontribuojnë në normalizimin Kosovë - Serbi
Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka thënë se deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë në përputhje me objektivin e Bashkimit Evropian.
“Do të filloj me çështjen kryesore dhe deklaratat e bëra, duke i përfshirë ato për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit, veprime që nuk e mbështesin objektivin për të pasur një raport normal mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Hipperi.
Ajo theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, ju rikujtojmë se progresi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për secilën palë në progresin e tyre në rrugën evropiane”, tha zëdhënësja e BE-së.
Deklaratat e Hipperit vijnë pas qëndrimeve të presidentit serb Vuçiq lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, çështje që ka nxitur reagime në Kosovë.