Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjilan
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Gjilan, pas konstatimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit, gjatë inspektimit në objekt janë evidentuar mangësi që rrezikojnë krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Për këtë arsye, është nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të konstatuara dhe përmbushjen e kërkesave për siguri dhe shëndet në punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa u ka bërë apel punëdhënësve që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Qëllimi, sipas Inspektoratit, është parandalimi i aksidenteve dhe mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. /Zëri