DHTIK-ja kërkon tejkalimin e ngërçit politik: Vendi s’ka nevojë për një cikël tjetër zgjedhor
Foto: Laura Hasani

DHTIK-ja kërkon tejkalimin e ngërçit politik: Vendi s’ka nevojë për një cikël tjetër zgjedhor

Aktuale August 11, 2026 - 08:13

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim për vonesat në konstituimin e institucioneve të vendit, duke vlerësuar se mungesa e Kuvendit dhe Qeverisë funksionale po krijon pasiguri dhe po shkakton dëme të mëtejshme për ekonominë dhe bizneset vendore.

DHTIK-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të mundësojnë sa më shpejt formimin e institucioneve.

Sipas DHTIK-së, Kosovës i duhen institucione funksionale dhe vendimmarrje, e jo një tjetër cikël zgjedhor, i cili, sipas tyre, do ta thellonte edhe më shumë pasigurinë për bizneset dhe ekonominë.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë të domosdoshëm edhe për shkak të agjendës së madhe që e pret vendin në fushën ekonomike”, thuhet në reagimin e DHTIK-së, transmeton Zeri.info.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka evidentuar një numër të madh ligjesh dhe çështjesh që, sipas saj, kërkojnë ndryshime, plotësime apo rregullim të ri.

Në mesin e tyre janë Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji për Falimentim, Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, legjislacioni për TVSH-në, Ligji për Pronën Publike, Ligji për Investime Strategjike dhe Ligji për Shoqëritë Tregtare.

DHTIK-ja thekson se bëhet fjalë për çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe që nuk duhet të mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve.

Sipas kësaj dhome, bizneset kanë nevojë për siguri juridike, politika të parashikueshme, lehtësim të barrës administrative dhe fiskale, përkrahje për prodhimin vendor dhe investimet, si dhe një klimë më të favorshme për zhvillim ekonomik.

Në fund, DHTIK-ja u ka bërë thirrje partive politike që ta vendosin interesin e vendit dhe të ekonomisë mbi dallimet politike dhe të përfundojnë procesin e konstituimit të institucioneve.

“Qytetarëve dhe komunitetit të biznesit u duhen institucione që punojnë dhe marrin përgjegjësi”, thuhet në reagim. /Zëri