Drejtori i “Telekom Serbia” angazhon ekip ndërkombëtar nga SHBA-ja e BE-ja, pasi Kosova e shpalli “non grata”
Drejtori ekzekutiv i “Telekom Serbia”, Vladimir Luçiq, ka deklaruar se do ta kundërshtojë përmes rrugëve ligjore vendimin e institucioneve të Kosovës për ta shpallur person “non grata”.
Në një intervistë për televizionin serb, Luçiqi tha se do të angazhojë një ekip ndërkombëtar, duke përfshirë diplomatë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, për ta kundërshtuar vendimin, transmeton Zeri.info.
“Është për të të ardhur keq që më shpallën kërcënim për sovranitetin e tyre. Është madje qesharake. Ata morën një vendim që më drejtohet mua personalisht. Do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore dhe do ta luftoj ashpër”, tha Luçiqi.
Ai pretendoi se vendimi i institucioneve të Kosovës lidhet me përpjekjet e tij për të siguruar licencën e tretë për telefoninë mobile në Kosovë, duke thënë se një investim i tillë do të sillte qindra miliona euro dhe vende të reja pune.
“Fitorja ime ligjore, për të cilën jam i bindur se do të ndodhë, do të jetë një fitore për njerëzit në Ballkanin Perëndimor që mbështesin bashkëpunimin ekonomik dhe vendet e reja të punës”, u shpreh ai.
Ai e cilësoi vendimin edhe si pjesë të një qasjeje që, sipas tij, e vështirëson pozitën e serbëve në Kosovë.
“Ata pa dyshim kanë nevojë për një kundërshtar të ri, kështu që po përpiqen të më bëjnë edhe mua një të tillë. Vendimi tregon se ata do të vazhdojnë ta bëjnë jetën të vështirë për serbët në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi ai.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shpalli Luçiqin person të padëshiruar disa ditë më parë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte thënë se vendimi ishte marrë bazuar në deklaratat e drejtuesit të “Telekom Serbia”.
Vendimi erdhi një ditë pasi Luçiqi vizitoi degën e kompanisë “MTS” në veri të Mitrovicës dhe njoftoi investime të reja.
Drejtori i “Telekom Serbia” tha se kompania do të vazhdojë investimet në Kosovë, veçanërisht në telefoninë fikse, duke përmendur ndërtimin e dy objekteve në Partesh dhe katër degëve të tjera. /Zëri