Dy të vdekur dhe 929 shërbime emergjente në QKUK gjatë fundjavës
Gjithsej 929 shërbime emergjente janë ofruar gjatë fundjavës së fundit në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas të dhënave të QKUK-së, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 202 pacientë në Reanimim, 280 në Emergjencën Internistike, 192 në Emergjencën Kirurgjike dhe 194 në Emergjencën Ortopedike, dy persona kanë vdekur, transmeton Zeri.info.
Ndërkaq, 61 pacientë kanë marrë shërbime në Sallën e Vogël, ku janë kryer qepje, përpunim dhe pastrim i plagëve.
Sa i përket natyrës së lëndimeve, gjatë fundjavës janë regjistruar dy raste të lëndimeve nga armët e zjarrit dhe një rast nga armët e ftohta.
Po ashtu, janë trajtuar tri raste të intoksikimeve, tetë persona të përfshirë në përleshje fizike, si dhe 53 persona të lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.
Gjatë së njëjtës periudhë janë realizuar edhe 87 pranime për trajtim në klinika të ndryshme të QKUK-së. /Zëri