Gjyqi për pengim të drejtësisë -pritje që aktgjykimi të shpallet brenda këtij viti

Gjyqi për pengim të drejtësisë -pritje që aktgjykimi të shpallet brenda këtij viti

Aktuale August 09, 2026 - 22:39

Në muajin gusht ishte paraparë që të paraqiteshin në gjykatore.

Por, gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, për pengim të drejtësisë dhe ndikim në dëshmitarë, nuk do të mbahet këtë muaj.

Kjo sipas një vendimi të gjykatësit të vetëm, meqë mbrojtja e Smakaj nuk paraqiti prova të reja.

Rrjedhimisht, u caktuan afatet tjera për prokurorinë dhe mbrojtjen për paraqitjen e dosjeve përfundimtare.

Ky gjykim u planifikua të përmbyllet më 14 shtator.

“Dosjet Përfundimtare të Gjyqit, nëse ka, duhet të paraqiten deri të hënën, më 24 gusht 2026, në orën 16:00; Seancat dëgjimore për deklaratat përfundimtare do të caktohen për 10, 11 dhe 14 shtator 2026”, thuhet nga Gjykata Speciale.

Pritjet janë që edhe aktgjykimi për këtë rast, të shpallet brenda këtij viti.

“Ky rast se paku në shkallë të parë, do të mund të përfundonte brenda këtij viti. Dhe besoj se në rast se do të kishte më tepër efikasitet sa i përket administrimit të këtij procesi, do të mund të përfundojë edhe më herët. Për faktin se siç dihet, ky proces nuk është i natyrës komplekse”, thotw avokati Ardian Bajraktari.

Çdo tejzgjatje e këtij gjyqi, për aktakuzën e ngritur qysh në vitin 2024, vlerësohet si e pajustifikueshme.

“Kurrsesi nuk justifikohet një tejzgjatje e tillë e gjykimit, ngase nga një proces i gjykimit po kalojmë në një proces i hetimit, dhe kështu po zvarritet procedura. Në rastin për pengim të drejtësisë, nëse ata me të vërtetë kanë prova, ato shumë shkurt mund të administrohen, por a është çështje komerciale e gjyqtarëve apo me prapaskenë politike, ka hapësirë për t’u analizuar”, shprehet avokati Kadri Osaj.

Të akuzuarit, në dhjetor të vitit 2024, patën paraqitjet e tyre fillestare, ku që të pestë mohuan fajësinë për ndikim në dëshmitarë./teve1