Vazhdon sot seanca konstituive e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Vazhdon sot seanca konstituive e Kuvendit

Aktuale August 08, 2026 - 07:50

Vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet sot nga ora 11:00, ka vendosur kryesuesi i seancës, deputeti i Vetëvendosjes Avni Dehari, një ditë pas përfundimit të afatit kushtetues.

“Të shtunën, më 8 gusht 2026, në orën 11:00, vazhdon seanca konstituive e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rendi i ditës: 3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; 4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Deri mbrëmë pas mesnate, Kuvendi kishte afatin e fundit për t’u konstituuar, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte vendosur 30 ditë afat për deputetët për ta konstituuar Kuvendin që nga certifikimin i rezultateve.

Seanca konstituive mbeti në gjysmë të enjten, kur Dehari vendosi ta shtyjë atë për kohë të papërcaktuar pas kërkesës së liderit të partisë në pushtet, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të krizës së gjatë politike.

Partitë tjera kanë kundërshtuar këtë veprim të Vetëvendosjes, duke e quajtur ditë të rëndë për vendin.

Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, mbrëmë tha se  PDK do të ndërmarrë veprime ligjore për mbrojtjen e Kushtetutës.

“Kemi të bëjmë me mosrespektim të mendimit dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që është i saktë dhe preciz, që thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo është shkelje e Kushtetutës, mosrespektim i aktit më të lartë, cenim i demokracisë dhe marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese”.

Hamza s’i përjashtoi as protestat si opsion.

“Do të përdoren të gjitha mjetet e lejuara demokratike, që i bie se nuk përjashtohet as protesta”, tha Hamza.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend”.

Po ashtu, LDK tha se mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç është përcaktuar me aktgjykimin e muajit qershor 2025.

Ndërkaq, kreu i Aleancës, Ardian Gjini, tha mbrëmë se Kosovën “e shohin me dhimbje qytetarët dhe miqtë tanë”.

Ai tha se Kurti do të gjykohet rëndë për “këtë fatkeqësi” ndaj vendit.

“Sonte Kosovën e shohin me gëzim të gjithë armiqtë. Albin Kurti, ti po ia qet faqen e zezë vendit tonë. Po e fut në një rrugë të rrezikshme, në drejtim shkatërrues. Ke për t’u gjykuar rëndë për këtë fatkeqësi që po gatuan. Kosova jonë ka me u forcu, e me u rrit, pa ty. Përkundër dëmit që po ia shkakton. Ndërsa edhe ata që të ndjekin qorrazi, njëjtë do të përfundojnë”.