Një ditë para seancës konstituive, pa marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së
Një ditë pas takimit treorësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhikut dhe vetëm një ditë para seancës konstituive të Kuvendit, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Takimi i së martës përfundoi pa marrëveshje politike, megjithëse të dy liderët e cilësuan atë konstruktiv dhe lanë të hapur mundësinë e vazhdimit të komunikimit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, por theksoi se çdo marrëveshje duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve.
"Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ka nevojë për progres të përshpejtuar", deklaroi Kurti, duke shtuar se presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë jopartiake dhe konsensuale.
Në anën tjetër, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ritheksoi se partia e tij kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin tri shtyllat kryesore institucionale: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
Ai bëri të ditur se LDK-ja nuk synon postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si funksion ceremonial, ndërsa tha se balanca institucionale duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje politike.
Zhvillimet u analizuan edhe në emisionin "Prime" në RTK, ku analistët shprehën dyshime për mundësinë e një marrëveshjeje në afatin e shkurtër.
Politologu Melazim Koci tha se elementi i përbashkët në deklarimet e Kurtit dhe Abdixhikut ishte mungesa e një marrëveshjeje politike. Sipas tij, deklarimi i Kurtit se presidenti duhet të jetë apartiak mund të ishte bazë për kompromis vetëm nëse opozita do të unifikohej rreth një kandidati të përbashkët. Megjithatë, ai u shpreh skeptik se palët kanë hyrë në negociata konkrete për këtë çështje, duke vlerësuar se aktualisht më shumë po ndërtohet një narrativë politike sesa po arrihet afrim real.
Analisti Sadik Zeqiri vlerësoi se nga deklaratat publike kuptohet se LDK-ja kërkon edhe pjesëmarrje në qeveri edhe postin e presidentit, ndërsa Kurti e ka bërë të qartë se presidenti duhet të jetë figurë jopartiake. Sipas tij, qëndrimet aktuale tregojnë se gjasat për marrëveshje janë të vogla dhe vendi po afrohet drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkaq, analisti Ejup Gojnovci tha se Abdixhiku ka lënë të kuptohet se ekziston gatishmëri për dialog, por jo domosdoshmërisht mandat për të përmbyllur një marrëveshje.
Sipas tij, një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së do të ishte i mundur vetëm nëse LDK-ja do të siguronte përfitime të konsiderueshme politike, duke përfshirë Presidencën dhe pjesëmarrje të rëndësishme në qeveri. Gojnovci shprehu dyshime se një marrëveshje e tillë do të ishte e pranueshme për elektoratin e Vetëvendosjes.
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht. Në mungesë të një marrëveshjeje politike, mbetet e paqartë nëse do të konstituohen institucionet e reja ose nëse vendi do të hyjë në një fazë të re të ngërçit politik.