Gjini akuzon Kurtin se po përgatit terrenin për zgjedhje të reja: Po manipulon opinionin publik
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka nisur, sipas tij, një proces për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme.
Në një intervistë në Klan Kosova, Gjini ka pretenduar se zhvillimet e fundit politike janë pjesë e një strategjie të Kurtit për të krijuar terren për zgjedhje, duke përmendur edhe mundësinë që ato të mbahen në dhjetor.
“Qofsha i gabuar, po çka pashë unë sonte, Kurti e ka nis procesin me çu vendin në zgjedhje, edhe pshtjellimin kujt me ia lanë fajin. Ky sonte e ka nis logjikën e tij me çu Kosovën në zgjedhje prap, mundësisht prap në dhjetor, edhe procesin e manipulimit të opinionit publik”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, Kurti po tenton që përgjegjësinë për situatën politike dhe institucionale t’ua bartë të tjerëve dhe të krijojë një narrativë që do ta favorizonte atë në rast të zgjedhjeve të reja.
“‘S’pata faj unë, po këta i patën fajet’ – ky po don me na çu në zgjedhje se nuk ia ndien për qytetarin e Kosovës, po vetëm për pushtetin e vet”, ka thënë kryetari i AAK-së.
Gjini ka bërë thirrje për, siç e ka quajtur, mobilizim dhe pjekuri politike, duke vlerësuar se vendi nuk duhet të mbetet peng i krizave të njëpasnjëshme politike.
“Kosova duhet me gjetë rrugë me dalë prej këtyre krizave”, ka përfunduar Gjini.
Deklaratat e Gjinit janë bërë pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të reja.