Abdixhiku: Ishte takim i mbarë, do të vazhdojmë diskutimet
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku: Ishte takim i mbarë, do të vazhdojmë diskutimet

Aktuale August 04, 2026 - 21:31

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku e ka cilësuar si takim të mbarë, derisa tha se do të takohen edhe ditët në vazhdim, transmeton Zeri.info.

“Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më të detajuara, LDK-ja qëndron në parimet e saj të bëra publike, pra që të ketë balancë demokratike dhe LDK-ja të jetë e përfaqësuar në këtë balancë”

“Do të vazhdojmë takimet me vullnet të mirë, në qoftë se nuk bëjmë asgjë do të ketë zgjedhje të reja, ky nuk do jetë lajm i mirë për qytetarët”, deklaroi Abdixhiku para mediave pas takimit.

Ai shtoi se në takimin e sotëm, nuk kanë folur për emra kokoret, ndërsa shtoi se janë në proces të diskutimeve të parimeve.

“Në qoftë se deri më 6 gusht nuk arrihet asgjë, kem propozuar që të vazhdohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse LDK-ja nuk ka apetit për emrin e kryetarit të Kuvendit, tha Abdixhiku.

Abdixhiku paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, duke shtuar se kjo nuk do të ishte në interes të qytetarëve.

“Nëse nuk bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja. Besoj se kjo nuk është lajm i mirë as për popullin e Kosovës dhe as për partitë politike”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së konfirmoi se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin e ardhshëm, por vetëm për parimet e një marrëveshjeje të mundshme.

“Nuk kemi folur për emra konkretë, ende jemi në diskutime për parimet”, tha Abdixhiku.

I pyetur për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku tha se një president konsensual është ai që siguron 80 vota në Kuvend, ndërsa përsëriti se LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucionet e vendit në mënyrë që të japë mbështetjen e saj.

I pyetur nëse i ka të sigurta votat e deputetëve të LDK-së për marrëveshje me Vetëvendosjen, Abdixhiku theksoi: “E kam thënë shpeshherë: për marrëveshje të mirë, LDK-ja i ka të gjitha votat. Për marrëveshje jo të mirë, nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë. Fillimisht duhet të ndërtohet marrëveshja, më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë – për numra, për mundësi të realizimit e kështu me radhë. Po përpiqemi për balancë institucionale. Kërkoj falje që s'mundem më shumë t'ju jap detaje sepse jemi në proces diskutimi dhe ju lus që të keni mirëkuptim për këtë çështje”, tha Abdixhiku.

Në fund, ai theksoi se marrëveshjet politike nuk duhet ta ndryshojnë rezultatin zgjedhor.

“Kemi pasur dakordësi të plotë që marrëveshjet në tavolinë nuk e përmbysin rezultatin zgjedhor. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë për Republikën e Kosovës brenda rrethanave aktuale”, përfundoi Abdixhiku.