Abdixhiku: Në LDK fjalën e fundit e ka Anëtarësia, sot fillojmë punën së bashku
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku: Në LDK fjalën e fundit e ka Anëtarësia, sot fillojmë punën së bashku

Aktuale July 31, 2026 - 09:50

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve në kuvendin e partisë, duke thënë se vendimi i delegatëve duhet të respektohet dhe se tashmë fokusi duhet të jetë bashkimi i partisë dhe stabiliteti institucional në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se kishte besuar se Kuvendi ishte "i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm", por theksoi se e pranon me përulësi vendimin e delegatëve dhe e konsideron atë si një përgjegjësi të re.

"Në LDK fjala e fundit i takon gjithmonë Anëtarësisë. Mbrëmë ajo foli. Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së", shkroi ai.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja duhet të mbetet e ndërtuar mbi dialogun, maturinë dhe respektin për mendimin ndryshe, duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve që të bashkojnë partinë.

"LDK-ja ka nevojë për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë", u shpreh ai.

Në fund të reagimit, kreu i LDK-së tha se me përfundimin e këtij kapitulli, partia duhet të nisë një fazë të re.

"Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku. Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë", përfundoi Abdixhiku. /Zëri

Shkrimi i plotë:

Në LDK fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë.

Mbrëmë ajo foli.

Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së.

LDK-ja mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë.

Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani. Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën.

Ky është roli ynë si LDK e vërtetë. Rolet tjera nuk na përkasin neve.

LDK-ja ka nevoje për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK-ja.

Mbrëmë mbyllëm një kapitull.

Sot fillojmë punën, së bashku.

Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë.