Rama: Kryeqyteti do të bashkëpunojë me Prokurorinë, Kurti t’i përgjigjet ftesës për intervistim

Rama: Kryeqyteti do të bashkëpunojë me Prokurorinë, Kurti t’i përgjigjet ftesës për intervistim

Aktuale July 31, 2026 - 10:41

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës është përfshirë në legalizime të jashtëligjshme të objekteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se është lajm i mirë që çështja po i drejtohet Prokurorisë, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, t’i përgjigjet ftesës për intervistim.

“E para, po m’vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, shkroi Rama.

Ai shtoi se dyert e kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë, duke garantuar bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë.

Rama theksoi se pas vendimit të Prokurorisë, Komuna do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin.

“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, u shpreh ai. /Zëri