LIVE | Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së
Foto: Laura Hasani

LIVE | Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së

Aktuale July 30, 2026 - 17:58
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e kishte thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për sot (30 korrik), ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku LDK-ja doli partia e tretë me 16.69% apo 135,567 vota.

Abdixhiku mbërrin në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, nuk flet para mediave: Do të flas brenda

Image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku delegatët pritet të vendosin për mocionin që lidhet me vazhdimin e mandatit të tij në krye të LDK-së.

Para nisjes së punimeve, Abdixhiku nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, duke bërë të ditur se qëndrimet e tij do t’i paraqesë në fjalën hyrëse para delegatëve.

Ai tha se pas përfundimit të Kuvendit do të mbajë një konferencë për media, ku do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

“Pas përfundimit të Kuvendit do të mbaj fjalë për media”, deklaroi Abdixhiku.

Haziri: Sot kemi mocionin ndaj kryetarit, më pas fokus te ndërtimi i institucioneve

Image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë do të trajtojë mocionin për kryetarin e LDK-së, duke theksuar se kjo është pjesë e procedurave statutare dhe e debatit të brendshëm të partisë.

Para nisjes së kuvendit, Haziri tha se, pavarësisht rezultatit të fundit zgjedhor, LDK-ja ka hyrë në një fazë të debatit të brendshëm, ndërsa shtoi se mocioni është respektuar në përputhje me Statutin.

“Përkundër rezultatit të fundit, ne kemi hyrë në kufirin e debatit të brendshëm, që është mocioni për kryetarin e LDK-së. Natyrisht që, në bazë të normave statutare, është shfrytëzuar ky mocion dhe ne e kemi respektuar. Sot do të dialogojmë, do të debatojmë dhe do ta gjejmë rrugën më të mirë që LDK-ja ta realizojë këtë kërkesë”, deklaroi Haziri, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se, pas përmbylljes së këtij procesi, fokusi i partisë duhet të jetë në ndërtimin e institucioneve dhe të ardhmen e vendit.

“Pastaj do të kalojmë te kërkesa e dytë, që është ndërtimi i institucioneve, funksionimi i tyre dhe e ardhmja e Republikës sonë”, u shpreh Haziri. /Zëri

Arben Gashi para Kuvendit të LDK-së: Pres një proces demokratik, sot nuk është dita për të folur për kandidatë

Image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se pret që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe të suksesshme.

Para nisjes së mbledhjes, Gashi tha se ky kuvend përfaqëson një hap të rëndësishëm në funksionimin e brendshëm të LDK-së, duke theksuar se fokusi i sotëm duhet të jetë te procesi dhe jo te emrat e mundshëm për drejtimin e partisë.

“Mendoj se do të jetë një proces demokratik dhe i suksesshëm dhe është një nivel i ri i politikëbërjes në Kosovë. Nuk flasim sot për kandidatët, sot është hapi i parë, duhet të mblidhemi bashkërisht të gjithë dhe të vendosim”, deklaroi Gashi.

I pyetur nëse ka pasur presion ndaj tij për të kandiduar ose për të marrë ndonjë pozitë brenda LDK-së, ai e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

“Po thu që më bën dikush presion mu, a?”, u përgjigj ai.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e kandidimit të tij për postin e kryetarit të LDK-së, Gashi tha se fillimisht duhet të përmbyllet faza e parë e procesit.

“Ta shohim hapin e parë, pastaj flasim”, u shpreh deputeti i LDK-së.

 

Zemaj para Kuvendit të LDK-së: Delegatët do të vendosin për të ardhmen e lidershipit, nuk pres tensione

Image

Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Armend Zemaj, deklaroi se nënshkrimet për thirrjen e kuvendit janë mbledhur në përputhje me Statutin e partisë dhe se tani vendimmarrja u takon delegatëve.

Ai tha se procesi është pjesë e demokracisë së brendshme të LDK-së dhe se në kuvend nuk pret të ketë tensione.

“Po, nënshkrimet e kanë pasur formën e vet statutare. Tash është në dorën e të gjithë delegatëve që të vendosin për fatin politik dhe të ardhmen e lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Zemaj.

I pyetur nëse është pro apo kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe nëse pret përplasje gjatë kuvendit, Zemaj u shpreh se procesi do të zhvillohet pa incidente.

“Asnjë, nuk do të ketë tensione. E keni parë edhe vetë se delegatët janë përballur me disa presione, t’i quaj kështu, më shumë mediatike, në kuptimin pozitiv. Por kjo është demokracia, këtë e promovon vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Sipas Zemajt, zhvillimi i një procesi të tillë është dëshmi e demokracisë së brendshme të LDK-së, duke shtuar se situata të ngjashme nuk shihen në partitë e tjera.

“Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në parti të tjera, besa as në partitë e vendeve të rajonit. Andaj kjo është vetëm për fuqizimin e LDK-së dhe asgjë tjetër”, u shpreh ai.

Duke kujtuar se procese të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë brenda partisë, Zemaj tha se kjo është arsyeja pse LDK funksionon si një subjekt demokratik.

“Për këtë arsye jemi parti demokratike. Për këtë arsye kërkojmë suksese më të mëdha dhe për këtë arsye nuk ndalemi derisa ta kemi LDK-në partinë e parë”, përfundoi Zemaj.

Sibel Halimi mohon presionin ndaj delegatëve: Le të triumfojë demokracia në LDK

Image

Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, tha se pret që procesi të zhvillohet në frymë demokratike, duke theksuar se është me rëndësi që delegatët të votojnë lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre personale. Ajo mohoi se ka pasur presion ndaj delegatëve dhe shprehu bindjen se kuvendi do të kalojë pa tensione, ndërsa LDK-ja do të dëshmojë vlerat demokratike që, sipas saj, i ka kultivuar ndër vite.

“Sigurisht Lidhja Demokratike e Kosovës ka një demokraci të brendshme dhe është shumë me rëndësi që sot të triumfojë demokracia, domethënë delegatët në njëfarë forme të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe besoj që do t’ia dalim me sukses”, tha ajo.

E pyetur se a ka pasur presion për votim, ajo kundërshtoi duke thënë që LDK do të triumfojë me vlerat që i promovon.

“Jo, absolutisht jo, absolutisht. Unë jam anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ne padyshim që do ta bëjmë më të mirën sot që Lidhja Demokratike e Kosovës të triumfojë me vlerat të cilat edhe historikisht i ka promovuar dhe i ka përbrendësuar brenda jo vetëm programit të vet, por edhe të funksionimit si parti politike”, u shpreh ajo.

Halimi u shpreh se beson që kuvendi do të kalojë mirë, pa tensione.

“Unë besoj që ne sot do ta kalojmë më së miri dhe delegatët tanë kanë një vetëdije shumë të lartë për rëndësinë edhe të argumentimit, edhe fuqisë së fjalës dhe absolutisht nuk ka asnjë pretekst që sot ju të merrni informatën që do të ketë ndonjë ekses. Dhe unë besoj fuqishëm që me 36 vjet që e ka Lidhja Demokratike e Kosovës ne e kemi ndërtuar shtetin me vlerat e lirive të mendimit, të shprehjes së lirë dhe të demokracisë në përgjithësi. Kështu që unë nuk besoj që do ta merrni një informatë të tillë sepse i kam kolegë, i njoh gjithsecilin dhe çfarëdo që sot do të ndodhë, edhe përkundër që si anëtare e kryesisë, si një person që kam kontribuar shumë në diskursin publik për zhvillimin edhe të shumë çështjeve me rëndësi për vendin, nuk ka qenë koha e duhur për të organizuar një Kuvend të tillë, por megjithatë, meqë me statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kemi një mundësi të tillë, ka pasur kërkesa, është nënshkruar një listë dhe tani jemi këtu ku jemi dhe ne do të dalim faqebardhë”, shtoi ajo.

Ferati: Gjithçka gati për Kuvendin e LDK-së, debati do jetë i hapur

Image

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, lir Ferati është deklaruar për media para mbledhjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së.

Ferati konfirmoi se gjitha organizimet teknike kanë përfunduar dhe tashmë presim që prej orës 18:00 të nisin punimet e Kuvendit, transmeton Zeri.info.

“Gjitha organizimet teknike kanë përfunduar dhe presim nga ora 18:00 që të zhvillohet Kuvendi, i cili mbahet me një pikë të rendit të ditë”, u shpreh Ferati.

Ai tha se LDK-ja si shtëpi e debatit demokratik, do të mbaje edhe në këtë Kuvend një debat të hapur.

“Debati është i hapur, LDK-ja është shtëpi e debatit demokratik e politik dhe debati do të jetë i hapur”, shtoi ai. /Zëri