Mbeturinat edhe nën tokë, bllokohen kanalizimet në Gjakovë

Mbeturinat edhe nën tokë, bllokohen kanalizimet në Gjakovë

Aktuale July 30, 2026 - 15:59

K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka njoftuar se ekipet e saj kanë hasur në sasi të mëdha mbeturinash gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e tri pusetave të kanalizimit në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.

Sipas kompanisë, nga pusetat janë larguar kartonë, gurë, shishe qelqi, plastikë, shkopinj dhe hekurë me gjatësi deri në 1.5 metra, ndërsa punëtorët kanë punuar për orë të tëra me mjete të ndryshme për të rikthyer funksionimin normal të rrjetit.

KRU “Gjakova” thekson se hedhja e mbeturinave në kanalizim shkakton dëme serioze në sistemin e ujërave të ndotura dhe kolektorëve, duke rrezikuar funksionimin e rrjetit dhe duke krijuar pasoja për qytetarët.

“Kjo është hera e dytë brenda një viti që në këtë lokacion hasen mbeturina të tilla në kanalizim, çka tregon për një sjellje të përsëritur dhe të papërgjegjshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës publike.

Po ashtu, KRU “Gjakova” ka paralajmëruar se në rast të përsëritjes së rasteve të tilla do të ndërmarrë masa ligjore dhe do të paraqesë kallëzime ndaj personave përgjegjës./Zëri