Mujka: “Jezero” u rrënua pasi pronarët nuk reaguan ndaj paralajmërimeve

Mujka: “Jezero” u rrënua pasi pronarët nuk reaguan ndaj paralajmërimeve

Aktuale July 30, 2026 - 14:56

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, ka thënë se rrënimi i objektit të njohur si minihoteli “Jezero” në zonën e Ujmanit, është pjesë e një aksioni të nisur para rreth një muaji për lirimin e pronave të ndërmarrjes e që të njëjtat, sipas tij, janë uzurpuar.

Mujka deklaroi se aksioni ka vazhduar në disa faza, ku fillimisht janë rrënuar pesë objekte, më pas 11 të tjera, ndërsa sot është rrënuar edhe minihoteli “Jezero”.

“Kjo është vazhdimësi e atij aksionit të filluar para një muaji, ku së pari u rrënuan 5, pastaj 11 dhe sot ky hotel i vogël me emrin ‘Jozoro’, për të cilat qysh më përpara janë dorëzuar kërkesat për rikthimin e pronës së ‘Ibër Lepencit’ dhe kjo ka qenë një ndër ndërtimet ilegale në tokën e uzurpuar. Pas paralajmërimeve për pronarin e këtij minihoteli, ata nuk kanë reaguar dhe sot në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Policinë është realizuar rrënimi i këtij objekti”, u shpreh Mujka.

Mujka, mes të tjerash, u shpreh se rrënimi i sotëm i minihotelit “Jezero” në zonën e Ujmanit është realizuar pas paralajmërimeve të vazhdueshme dhe kërkesave për lirimin e pronës që ndërmarrja e konsideron të uzurpuar.

“Si gjithmonë dy javë më përpara, por ky qysh nga viti i kaluar e ka pas kërkesën për dorëzimin e dokumentacionit, në qoftë se ka pretendu se është pronar legjitim. Një vit ka pas kohë për me mendu këtë punë, nuk ka pas reagime. Ne e kemi konstatuar me gjithë arkivin tonë se procesi i shpronësimit është kry në vitin 1973 me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, se është pronë qind për qind e ‘Ibër Lepencit'” , tha Mujka.

Lidhur me pretendimet e familjes që menaxhonte objektin se ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore për masë të përkohshme dhe kallëzim penal ndaj tij për kërcënim, shqetësim dhe vetëgjyqësi, Mujka mohoi të ketë ushtruar çfarëdo presioni.

“Si mund unë me frikësu dikënd nëse i dërgoj letër dhe kërkoj të paraqes dokumentet me të cilat pretendon se është pronar. Unë nuk kam asnjë ftesë, jo unë, por as ndërmarrja ‘Ibër Lepenc’ nuk ka ftesë. Unë në media kam dëgjuar se seanca është caktuar për 12 gusht, ne nuk kemi ftesë. Kurdo që vjen ftesa nga gjykata normal që do të përgjigjemi ftesës me të gjitha dëshmitë dhe dokumentacionin tonë, i cili është i nevojshëm”, tha Mujka për Dukagjinin.