Gërvalla në vendin ku po dyshohet për varrezë masive: Të mos spekulohet, profesionistët ta bëjnë punën e tyre

Gërvalla në vendin ku po dyshohet për varrezë masive: Të mos spekulohet, profesionistët ta bëjnë punën e tyre

Aktuale July 29, 2026 - 14:18

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar të martën lokacionin në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime për mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo tha se pret që së shpejti të ketë rezultate të sakta nga procesi i identifikimit, duke bërë thirrje që të mos ketë spekulime derisa ekspertët të përfundojnë punën.

“Këtu gjithçka është duke u bërë profesionalisht. Të gjitha njësitë e përfshira janë duke bërë punën e tyre dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta dhe konkrete, me qëllim që t’i informojmë familjarët dhe ata të mund t’i varrosin më në fund të dashurit e tyre. Nuk është koha për spekulime dhe as për zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre”, deklaroi Gërvalla.

Ajo e cilësoi si zhvillim pozitiv faktin që gërmimet kanë dhënë rezultate, duke theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në kërkimin e personave të zhdukur.

“Është lajm i mirë që është gërmuar, është lajm i mirë që gërmimi ka sjellë rezultat. Çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj kemi institucione të përkushtuara për gjetjen e varrezave masive, por edhe për rritjen e presionit ndaj Serbisë që të hapë arkivat, të japë informacion për personat e zhdukur dhe të sigurohet që krime të tilla të mos përsëriten më”, tha ajo.