Haxhiu për varrin masiv në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Haxhiu ka vlerësuar angazhimin e Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe sigurisë për trajtimin e rastit.
“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjekoligjore e deri tek identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t'iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, shkroi Haxhiu në Facebook. /Zëri