Koci: Një i ri nga Kosova ndalohet nga policia serbe në Horgosh, dyshohet se në veturë iu gjet një emblemë e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Koci: Një i ri nga Kosova ndalohet nga policia serbe në Horgosh, dyshohet se në veturë iu gjet një emblemë e UÇK-së

Aktuale July 25, 2026 - 12:20

Një i ri nga Kosova është ndaluar të shtunën nga policia serbe në pikën kufitare Horgosh, në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, gjatë rrugëtimit nga Gjermania për në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci përmes një postimi në Facebook, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për një të ri të lindur në vitin 1997.

Sipas Kocit, informacionin e ka marrë nga një person, identitetin e të cilit thotë se e ka konfirmuar. Ai ka bërë të ditur se i riu vazhdon të mbahet në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa ende nuk ka informacione të konfirmuara për statusin e tij procedural.

“Ajo që di deri tash është se, gjatë kontrollit të veturës, policia ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse.

Sipas burimit tim, i riu nuk e ka ditur se emblema ndodhej aty. Në veturë janë gjetur edhe disa monedha të argjendta”, ka shkruar Koci.

Ai ka shtuar se, sipas informacioneve që posedon deri më tani, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte. Koci nuk e ka bërë publik identitetin e të riut, ndërsa ka theksuar se është duke e përcjellë rastin dhe do të njoftojë nëse ka zhvillime të reja dhe të konfirmuara. /Zëri