Çitaku: Prokuroria të hetojë deri në fund profilet e rreme
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Prokuroria të hetojë deri në fund profilet e rreme

Aktuale July 25, 2026 - 11:10

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të informacioneve për një profil të rremë në rrjetet sociale, duke kërkuar hetim të plotë nga organet e drejtësisë.

Sipas saj, zbulimi i një profili të rremë është vetëm një rast nga mijëra llogari që, sipas pretendimeve të saj, për vite me radhë kanë përhapur urrejtje, shpifje, përçarje dhe kanë nxitur armiqësi mes qytetarëve.

Çitaku theksoi se lufta hibride në botën virtuale ka shkaktuar pasoja të mëdha politike dhe shoqërore, duke dëmtuar reputacionet, individët dhe besimin në institucione. Ajo kujtoi edhe rastin e Cambridge Analytica dhe ndikimin që pati në debatin për Brexit, duke vlerësuar se Kosova është edhe më e cenueshme ndaj manipulimeve digjitale.

Ajo ngriti dyshime se rrjete të tilla mund të mos kenë qenë veprim i individëve të izoluar, por të jenë toleruar, inkurajuar ose përdorur për përfitime politike, duke e cilësuar këtë një çështje serioze që kërkon zbardhje të plotë.

Në fund, Çitaku i bëri thirrje Prokurorisë që të mos kufizohet vetëm te rasti i profilit të njohur si “Lule Gjeli”, por të hetojë çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik, si dhe të zbulojë organizatorët, financuesit dhe urdhërdhënësit e tyre.

“Demokracia nuk mbrohet vetëm në kutinë e votimit. Ajo mbrohet edhe duke mos lejuar që gënjeshtra, anonimati dhe propaganda e organizuar të zëvendësojnë të vërtetën dhe debatin e lirë”, ka përfunduar Çitaku.

Postimi i saj i plotë:

Tashmë u zbulua një nga mijëra profilet e rreme që për vite me radhë kanë mbjellë urrejtje, kanë shpifur, kanë përçarë dhe kanë nxitur armiqësi mes qytetarëve.

Lufta hibride në botën virtuale ka lënë dhe vazhdon të lërë pasoja të mëdha, jo vetëm politike, por edhe shoqërore. Përmbysen vlerat, rrënohen reputacione, sulmohen individë dhe minohet besimi në institucione.

Kosova nuk është përjashtim.

E mbaj mend ndikimin që pati Cambridge Analytica në debatin rreth Brexit-it. Nëse demokracitë me traditë shumë më të gjatë janë përballur me pasoja serioze nga manipulimi digjital, imagjinoni sa i cenueshëm është një shtet i ri si Kosova.

Pjesa më e dhimbshme është se, sipas asaj që po del në publik, ky fenomen nuk duket të ketë qenë thjesht veprim i individëve të izoluar. Dyshimet se rrjete të tilla janë toleruar, inkurajuar apo përdorur për përfitime politike janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë zbardhje të plotë.

Prandaj, Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e “Lule Gjelit”, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik.

Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve. Ai duhet të shkojë deri në fund, për të zbuluar kush i ka organiziuar, koordinuar, financuar apo urdhërdhëruar.

Demokracia nuk mbrohet vetëm në kutinë e votimit. Ajo mbrohet edhe duke mos lejuar që gënjeshtra, anonimati dhe propaganda e organizuar të zëvendësojnë të vërtetën dhe debatin e lirë.