Azizi: Intervenimi në Pediatri nuk është reagim pas publikimeve, ekziston plan për transformim rrënjësor
Foto: Laura Hasani

Azizi: Intervenimi në Pediatri nuk është reagim pas publikimeve, ekziston plan për transformim rrënjësor

Aktuale July 16, 2026 - 18:12

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, ka deklaruar se gjendja e infrastrukturës në institucionet shëndetësore të Kosovës është pasojë e mungesës së investimeve të mirëfillta ndër vite, duke theksuar se Klinika e Pediatrisë është pjesë e një plani për renovim të plotë.

Azizi ka thënë se objektet shëndetësore të trashëguara janë kryesisht të ndërtuara në shekullin e kaluar dhe nuk përputhen me standardet moderne të spitaleve.

“Objektet, infrastruktura të cilën e kemi trashëguar në është e viteve të shekullit të kaluar, e cila është ndërtuar në kushtet e kohe dhe mendësie tjetër të shëndetësisë. Dallon shumë prej koncepteve moderne dhe infrastrukturës të cilën e ofrojnë parimisht spitalet nëpër vendet e ndryshme të botës. Ajo çka duhet me ditë, pas shumë e shumë viteve, investimeve sipërfaqësore, që janë bërë nëpër njësi të ndryshme të SHSKUK, ku përfshihet edhe QKUK-ja, kohëve të fundit kemi filluar me renovim pak më ndryshe, të cilat nënkuptojnë një transformim të mirëfilltë të secilës repart, klinik apo njësie përbërëse. Duke thënë këtë duhet ta dini që Klinika e Pediatrisë është njëra prej më të mëdhave. I ka 150 shtretër, ku mesatarisht brenda muajit janë të hospitalizuar mbi 500 pacientë. Brenda 6 muajve të këtij viti janë hospitalizuar më shumë se 3300 pacientë….

Kështu që nuk është se kemi intervenuar pas publikimeve, ekziston një plan për renovimin e Klinikes së Pediatrisë. I cili nënkupton që duhet të një renovim i mirëfilltë, konkret dhe një transformim rrënjësor i klinikës”, ka thënë Azizi. /dukagjini