Deklarata e ministres serbe për Kosovën, përplasje në Kuvendin e Shqipërisë

Deklarata e ministres serbe për Kosovën, përplasje në Kuvendin e Shqipërisë

Aktuale July 16, 2026 - 12:32

Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë u bë objekt debati në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita kërkoi një reagim të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, ndërsa mazhoranca theksoi se qeveria ka reaguar në kohë përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me spastrimin etnik në Kosovë ka shkaktuar debat në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës dhe të mazhorancës u përplasën për mënyrën se si duhet të reagojë qeveria shqiptare.

Deputeti i opozitës, Redi Muçi, dënoi deklaratën e zyrtares serbe dhe kërkoi një reagim të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.

“Çfarë pret qeveria dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe se do të kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët dhe mbështetjes që i dha kësaj deklarate zv.kryeministri Daçiç? Spastrimi etnik konsiderohet si krim kundër njerëzimit. Deklarata të tilla shoviniste janë në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nëse kryeministri shqiptar nuk mban qëndrim ndaj një deklarate për spastrimin etnik të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve, për çfarë do të mbajë qëndrim më pas? Kujtoj se në tetor të vitit të shkuar, deputetët e mazhorancës rrëzuan propozimin e rezolutës që vinte nga opozita për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë”, deklaroi Muçi.

Në përgjigje, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e cilësuar reagimin si të duhur dhe në kohë.

“Sa i përket një deklarate të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, të një anëtareje të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë dhe adekuat, nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme. Këto janë çështje të një rëndësie kombëtare, me të cilat nuk mund të merremi për një aspekt procedural. Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë, nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, dhe kam reaguar shumë para teje si kryetar i grupit parlamentar bashkë me kolegët e mi”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se deklarata e ministres serbe është dënuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

“Natyrisht, ky hap i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritetet politike përfaqësuese me të cilat ne komunikojmë në Komisionin Europian, nga komisionerja Marta Kos. Shqipëria po reagon bashkë me aleatët e saj”, deklaroi Balla.

Gjatë replikës, kreu i grupit parlamentar socialist mbrojti edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës.

“Sa i përket Edi Ramës, ti dhe ata shokët e tu duhet të lani gojën mirë, sepse është i vetmi kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit, duke theksuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se Shqipëria mbështet fuqimisht pavarësinë dhe anëtarësimin e saj në NATO dhe BE”, theksoi Balla.

Edhe deputeti socialist Ardit Bido u përplas në Kuvend me deputetët e opozitës Erald Kapri dhe Redi Muçi, pas akuzave të këtyre të fundit se mazhoranca po hesht ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë. Debati u shoqërua me replika të forta për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës dhe çështjes çame.

Bido kundërshtoi akuzat e opozitës, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ka mbrojtur publikisht pavarësinë e Kosovës edhe në Beograd.

“Më vjen keq që në këtë sallë të nderuar të Kuvendit ne dëgjojmë populizmin që në fakt na vjen nga thirrjet revolucionare që kanë prodhuar vetëm gjak në histori. Populizmi ekstrem që tenton të zhbëjë edhe historinë. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën. Diskutoi atë që ishte plani i kohës për Jugosllavinë e madhe që do përfshinte Bullgarinë dhe Shqipërinë. Sot Shqipëria, një republikë e pavarur, ka kërkuar përmes Ramës në Beograd që Kosova, një republikë e pavarur, të njihet si realitet”, deklaroi Bido.

Deputeti socialist i cilësoi gjithashtu partitë e vogla opozitare si “në kufijtë e antikombëtares”, duke i akuzuar se nuk morën pjesë në seancën kur Kuvendi dënoi gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast. Kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri, që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi, partizat e vogla munguan. Partizat e populizmit kanë zgjedhur vetëm fjalën kur iu intereson dhe me veprime kanë treguar se janë thjesht antishqiptarë”, u shpreh ai.

Në përgjigje, deputeti Erald Kapri i cilësoi deklaratat e Bidos “në kufijtë e të pabesueshmes”, duke e akuzuar atë për gjuhë përçarëse dhe standard të dyfishtë.

“Deklarimet janë në kufijtë e pabesueshmes. Deputeti ka fyer protestën duke thënë që rinia po udhëhiqet nga njerëz të Belerit. Nuk e pashë të reagojë kur doli me deputetët e PS në Strasburg, i nxjerrë me krenari edhe nga kryeministri. Madje socialistët votonin edhe amendamente të propozuara nga Beleri. Dhe na quajnë këta ne antikombëtar. Votojnë me Belerin në Strasburg dhe akuzojnë shqiptarët se sillen vërdallë nga Beleri. Kurrë s’kam parë nga Ruçi apo nga Balla që të dalë të thotë që PS do të dalë dhe të shtypë. Nuk e di se si një deputet që pretendon të jetë në radhët e të rinjve të flasë me gjuhë dhune. Mbani gjuhën se e dimë se çfarë trashëgimie të dhunshme keni”, deklaroi Kapri.