Gjykata Kushtetuese konstaton se nuk pati shkelje të së drejtës për jetë në rastin e Bekim Krasniqit
Foto: Laura Hasani

Gjykata Kushtetuese konstaton se nuk pati shkelje të së drejtës për jetë në rastin e Bekim Krasniqit

Aktuale July 15, 2026 - 16:50

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI19/26, të parashtruar nga Bekim Krasniqi, lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave kushtetuese pas vdekjes së babait të tij, F.K., pas trajtimit mjekësor dhe një ndërhyrjeje kirurgjikale në vitin 2022.

Gjykata, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme, por ka vendosur se Aktvendimi [AKAP.II.nr.391/25] i Prokurorisë së Apelit të Kosovës, i datës 24 shtator 2025, nuk është në kundërshtim me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për jetë.

Rasti lidhet me trajtimin mjekësor të F.K., i cili në dhjetor të vitit 2022 kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në fshikëzën urinare në një spital në Prizren, ku kishte marrë pjesë edhe mjeku F.Sh. Pas ndërhyrjes, F.K. kishte vazhduar me kontrolle dhe trajtime të tjera mjekësore, ndërsa më vonë ishte diagnostikuar edhe me kancer në mushkëri. Ai kishte ndërruar jetë në janar të vitit 2024.

Familja e të ndjerit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj mjekut F.Sh., duke pretenduar se gjatë trajtimit kishte pasur pakujdesi profesionale që kishte ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientit.

Prokuroria Themelore në Prizren, pas hetimeve, kishte vendosur t’i pushojë hetimet, me arsyetimin se nuk kishte prova që mjeku kishte përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit apo kishte vepruar në kundërshtim me rregullat e profesionit. Ky vendim më pas ishte konfirmuar edhe nga Prokuroria e Apelit të Kosovës.

Bekim Krasniqi e kishte dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se mosngritja e aktakuzës ndaj mjekut dhe mënyra e zhvillimit të hetimeve kishin cenuar të drejtën për jetë, të drejtën për gjykim të drejtë, si dhe të drejtën për mjete juridike dhe mbrojtje gjyqësore.

Në vlerësimin e saj, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi standardet e saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me detyrimin e shtetit për të zhvilluar hetime efektive në rastet që lidhen me trajtimin mjekësor dhe vdekjen e pacientëve.

Gjykata konstatoi se gjatë procedurës ishin ndërmarrë veprime hetimore, ishin intervistuar persona të përfshirë dhe ishin administruar ekspertiza mjekësore. Sipas Gjykatës, provat e mbledhura nuk kishin mbështetur përfundimin se mjeku F.Sh. kishte vepruar në kundërshtim me rregullat profesionale apo me pakujdesi që kishte shkaktuar vdekjen e pacientit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se fakti që F.K. kishte marrë trajtime të tjera pas ndërhyrjes, kishte ndërruar jetë më shumë se një vit pas operacionit dhe ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri, ishin rrethana të rëndësishme në vlerësimin e përgjegjësisë së mundshme mjekësore.

Sipas aktgjykimit, familjarëve të të ndjerit u ishte mundësuar përdorimi i mjeteve juridike dhe pretendimet e tyre ishin shqyrtuar nga institucionet kompetente. Gjykata theksoi se përdorimi i mjeteve juridike nuk nënkupton domosdoshmërisht një rezultat të favorshëm për palën, përderisa kërkesat shqyrtohen në mënyrë të plotë dhe të rregullt.

Në fund, Gjykata Kushtetuese vendosi se nuk kishte pasur dështim institucional në përcaktimin e përgjegjësisë së stafit mjekësor dhe se pretendimet për shkelje të neneve 25, 32 dhe 54 të Kushtetutës ishin të pabazuara.

Për pretendimin për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, Gjykata vendosi ta trajtojë atë në kuadër të vlerësimit për të drejtën për jetë dhe nuk e pa të nevojshme një shqyrtim të veçantë.