AGK-ja dënon deklaratat e kryetarit të Obiliqit kundër KALLXO.com

AGK-ja dënon deklaratat e kryetarit të Obiliqit kundër KALLXO.com

Aktuale July 15, 2026 - 16:42

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar deklaratat publike të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, të drejtuara kundër medias online KALLXO.com.

Sipas AGK-së, Thaçi, përmes një deklarate publike, ka vënë në dyshim raportimin e KALLXO.com lidhur me procesin e shpronësimit në fshatin Shipitullë, duke e shoqëruar atë me akuza ndaj medias.

AGK-ja e ka cilësuar këtë deklaratë si të paprecedentë dhe me tone kërcënuese ndaj medias, gazetarit dhe autorit të artikullit, Shqipron Xhema, duke vlerësuar se një qasje e tillë synon të minojë lirinë e medias dhe ushtrimin e pavarur të punës profesionale e hulumtuese në interes të publikut.

Më tej, AGK-ja i ka bërë thirrje kryetarit Thaçi dhe zyrtarëve të tjerë publikë që, në vend të intimidimit të gazetarëve, të ofrojnë informacione në mënyrë transparente dhe të hapur për temat që trajtohen nga mediat.

Ndërkohë, KALLXO.com ka paralajmëruar se do të ngrejë padi urgjente për shpifje ndaj kryetarit të Obiliqit. /Zëri